Plot 267 miliardë euro i kanë kushtuar kompanive gjermane krimi kibernetik
Krimi kibernetik dhe aktet e tjera të sabotimit u kanë kushtuar kompanive gjermane rreth 267 miliardë euro (298 miliardë dollarë) vitin e kaluar, 29% më shumë se një vit më parë, sipas sondazhit të fundit.
Shoqata e industrisë Bitkom anketoi rreth 1000 kompani nga të gjithë sektorët dhe zbuloi se 90% e tyre presin më shumë sulme kibernetike në 12 muajt e ardhshëm, ndërsa 10% e mbetur presin të njëjtin nivel sulmesh.
Rreth 70% e kompanive që ishin në shënjestër fajësuan krimin e organizuar për sulmet, ndërsa 81% e kompanive raportuan vjedhje të të dhënave, duke përfshirë të dhënat e klientëve, të dhënat e aksesit e fjalëkalimet, si dhe patentat.
Rreth 45% e kompanive thanë se ia hidhnin fajin Kinës për të paktën një sulm, nga 42% në vitin e kaluar. Sulmet në rrjet për të cilat pretendohej se ishte përgjegjëse Rusia renditen në vendin e dytë me 39%.
“Situata e kërcënimit për ekonominë gjermane po përkeqësohet,” tha në një deklaratë presidenti i Bitkom, duke shtuar se kompanitë duhet të rrisin masat mbrojtëse.
Rritja e sulmeve ka bërë që kompanitë të ndajnë 17% të buxhetit të tyre të IT për sigurinë dixhitale, nga 14% vitin e kaluar, por vetëm 37% thanë se kishin një plan urgjent për të reaguar ndaj incidenteve të sigurisë në zinxhirin e tyre të furnizimit.
Disa muaj më parë, Gjermania akuzoi Rusinë se kishte nisur sulme kibernetike kundër kompanive të mbrojtjes dhe hapësirës ajrore, si dhe anëtarëve të Partisë Social Demokrate në pushtet, për shkak të mbështetjes së Berlinit për Ukrainën.
Kristi Ceta/SCAN