Plumb kokës për shkak të prostitucionit, kapet pas 10 vitesh shqiptari

 

Policia italiane njoftoi për arrestimin e një 43-vjeçari, i cili prej 10 vitesh ishte në kërkim.

Astrit Rryçi është dënuar me 23 vite burg nga Gjykata e Apelit të Venecias, pasi në tetor 2005 vrau në një pikë karburanti Artur Kolën. Sipas drejtësisë italiane vrasja erdhi për shkak të rivalitetit mes bandave shqiptare për kontrollin e prostitucionit në rrugën Terraglio. Në vrasje besohet se është përfshirë dhe vëllai i tij, por ai nuk u dënua për shkak të mungesës së provave.

Gjyqi ndaj Astrit Rryçit është zhvilluar në mungesë, pasi ai u zhduk pas vrasjes.

Ai u arrestua më 7 dhjetor në Durrës. 43-vjeçari kishte ndryshuar mbiemër pasi mbante një pasaportë me emrin: Astrit Mani.

Shqiptari pritet të ekstradohet në ditët e ardhshme për të kryer dënimin për vrasjen e 10 viteve më parë. Ngjarja daton më 19 tetor 2005, kur Artur Kola, 27-vjeç u vra në mënyrë brutale me një plumb në kokë.

Sipas hetuesve të policisë, Kola u vra për shkak se kishte mbrojtur vajzën shqiptare e cila kishte hyrë në zonën e prostitucionit që kishte nën kontroll një grup shqiptarësh.

Gjyqit familja e Kolës mbështeti edhe hipotezën se ai ishte vrarë gabimisht, me pretendimin se autorët po kërkonin një tjetër shqiptar.

Por, pas disa muajsh hetime policia zbardhi ngjarjen. Sipas policisë natën e ngjarjes vëllai i Astritit i ka telefonuar Artur Kolës duke lënë takim. Astriti është njohur si vrasësi nga deklarata e një dëshmitar.

 

SHKARKO APP