Plumba e thikë në zëmër për një fjalë

Gjykata e Durrësit mbylli në qeli me masë sigurie arrest me burg autorët e dy vrasjeve të shënuara fundjavën e kaluar për një fjalë një shikim e një bllokim rruge. Ndërsa Gjykata e Fierit mbajti në burg, 31 vjeçarin që për 5 orë mbajti në alarm policinë pasi kanosi familjen e bashkëshortes e më pas kërcënoi për vetëvrasje.

Gjykata e Durrësit caktoi masën e sigurisë arrest me burg për Klodian Daçin e Serxhio Tatazin, dy nga tre të rinjtë e akuzuar për vrasjen në bashkëpunim të 39 vjeçarit Armando Baboçi dhe plagosjen e të birit 19 vjeçar Erald Gjini, i cili ka ndryshuar mbiemër.

Henrik Tatazi, ndërkohë pritet të njihet me masën e sigurisë në vijim, pasi ai mbeti i plagosur në përleshjen dhe ndodhet në gjendje të rëndë në Spital.

Detyrim paraqitje është vendosur oër Argit Kastrioti, 24 vjeç dhe Endri (Cimo) Bregu, 25 vjeç, të cilët u vunë në pranga me akuzën e moskallzimit të Krimit,

Krimi i 18 shtatorit në Durrës, pasoi një konflikt me sende të forta shkak i të cilit sipas burimeve u bë një shikim mes të rinjve.

Më herët gjykata e Durrësit mbylli në qeli Arbër Koten, shoferin e autobusit të një fasonerie i cili pas një sherri për bllokimin e rrugës vrau me thikë në zemër 34 vjeçarin Idajet Dulla.

Para gjykatës, 26-vjeçari shfaqi pendesë ndërsa i kërkoi falje familjes së viktimës, mesazh të cilin para gjykatës e përsëriti edhe avokati i tij mbrojtës.

”Si rezultat i një debati të momentit, ka ndodhur dhe ngjarja që ju jeni vënë në dijeni. Shprehu pendesë dhe ngushëllimet më të sinqerta për familjen e viktimës.”

26-vjeçari ka thënë se ka vepruar për vetëmbrojtje ndërsa ka shtuar se është penduar që ka lejuar përshkallëzimin e situates deri në vrasje me thikë në zemër.

Gjykata e Fierit ndërkohë mbajti në qeli 31 vjeçarin Elton Meta, i cili me një armë zjarri në dorë kërcënoi për 5 orë se do të vetëvritej nga banesa e prindërve të bashkëshortes, pasi ajo e kishte braktisur bashkë me fëmijën e mitur.

Në Gjykatë, ai mësohet se justifikuar veprimin me deklaratën: “Çfarë mund të bëjë një baba pa vajzën.”

Ndërsa avokati kërkoi vlerësimin të shëndetit mendor për 31 vjeçarin dhe një masë me të lehtë sigurie, të cilat u refuzuan.

”Kemi dyshime se personi i arrestuar paraqet  një gjendje emocionale të paqëndrueshme, jo vetëm për rastin në fjalë, por për shkak të një aksidenti para pak kohësh, çka ka sjellë dhe dëmtim të kokës.”

Java që lamë pas u mbyll me 5 të vrarë dhe 4 të plagosur në krime kundër jetes. /Ora News

SHKARKO APP