Pneumologu: Të lirohen oraret për qytetarët

Shqipëria nuk ka arritur pikun që frikësonte autoritetet shëndetësore dhe kjo sipas pneumologut Arian Mezini, vjen për disa elementë, shumë prej tyre ende për t’u analizuar, ku mund të veçohen ”vaksinimet e shumta të gjithë popujve të Ballkanit, si dhe faktori meteorologjik i favorshëm”.

Sipas disa teorive, Covid-19 ka qenë i pranishëm në vend muaj më parë, të paktën nga janari, me mjekë që kanë treguar edhe pamje imazherike domethënëse si provë. Sipas Mezinit, ”ky është një diskutimin që duhet të mbetet mes profesionistësh dhe mos të bëhet politik. Imazhet e përcjella më ngjasojnë me ato të Covid-19, është një diskutim që ka rëndësinë e tij, sepse kemi edhe vende si Franca që thonë se epidemia ka filluar muaj më parë”,-tha në ”A2”.

Mbetet fakt që gripi i stinës, AN1H1, këtë vit ishte më agresiv se vitet e kaluara dhe zyrtarisht 4 persona kane ndërruar jetë. Sipas pneumologut, ”patjetër duhet të nxjerrim kartelat e këtyre pacientëve, të shohim imazhet radiologjike dhe analizat, duke i krahasuar me të dhënat që kemi sot për Covid-19”, dhe mundësisht t’i bëhen teste serologjike personave që kanë pasur simptoma të rënda në atë periudhë.

Mezini mendon që tashmë përgjegjësia ka kaluar ”nga shteti tek individi”, dhe për këtë arsye është, sipas tij e gabuar që në ”zonat e kuqe”, si Tirana, ”limiti i orarit të jetë ora 17.30, në një kohë kur baret dhe restorantet janë mbyllur. Oraret duhen lehtësuar dhe shëtitjet i bëjnë mirë njerëzve”. Ai mendon se spitali “Shefqet Ndroqi” ku punon, duhet t’i rikthehet pacientëve me probleme pulmonare kronike, sepse është i vetmi vend që mban një standard të tillë në trajtimin e këtyre problematikave.

SHKARKO APP