Po e politizojnë edhe Akademinë e Shkencave të Shqipërisë

Nga Haris Vongli

Po si nuk u dhemb sadopak se çfarë po i bëjnë këtij kombi?! Po polutizojnë dhe shkrijnë edhe Akademinë e Shkencave. Po ku janë këta intelektualë të Shqipërisë që e lejojnë një krim të tillë?! Ku janë këta shkencëtarë? Njerëz të letrave e dijedashës? Këta letrarë e të papolitizuar, ku janë? Pra nga e gjithë shumatorja e të ndriturve shqiptarë, i vetmi kandidat për në krye të Akademisë së Shkencave, madje pa asnjë konkurrent, na qenkërka z. Gjinushi?! Po pse bëjnë sikur nuk e dinë, edhe ata pak që gjenden ndofta në udhë të mbarë, që shkatërrim i arsimit do të thotë robërim i së ardhmes dhe që përveçse rrezikojmë të kthehemi në azil pleqsh, rrezikojmë të mbetemi analfabet po ashtu, ndërsa politika dhe pushteti i babëzitur lëshon tentakulat e mjerimit kudo? Do bëhet një parti e re që do quhet “Partia Akademia e Shkencave e Shqipërisë”?! Po pse po të ishte Akademia e Shkencave një qenie njerëzore, e do të merrej zvarrë kështu, atëherë do t’u vinte keq, sadopak?! Po a e dini se për nga vlerat që ajo mbart është disa qenie bashkë, dhjetëra, qindra, mijëra, miliona?! Dhe këto miliona qenie njerëzore, shqiptarë, që po i robëroni për ditë, o plackitës e pushtues, po humbin shpresën sikurse dritën që veç dija mund ta japë aq sublime! Profesor Fuga me të drejtë e quan këtë akt si “të paprecedent në asnjë nga akademitë e shkencave të Europës a të Botës”. “Politizimi i shkencës dhe i kërkimit shkencor është akt i fundit i këtij kobi kombëtar ! Mendja e shqiptarit do të drejtohet zyrtarisht nga politika !”, shkruan ai, një ndër mendjet me të bukura që kemi mes nesh, dhe që nuk pushon së ngrituri zërin për problemet më madhore me të cilat përballet Shqipëria sot. Turp e faqe zezë! Kaq të verbër të jeni? Kaq pak e doni vendin, shtëpinë tuaj? Ndonjëherë më duket krejt absurde dhe naive tek përpiqem kaq shumë për të sjellë ndryshime. Në Shqipëri ka pllakosur zia kombëtare, në çdo fushë! Mjerë ne! Duan ta gllabërojnë edhe Akademinë e Shkencave, si çdo centimetër fizik e shpirtëror të këtij vendi.

SHKARKO APP