“Po na lë mbrapa një sistem dinozaur”, Artan Fuga: Në zgjedhjet e ardhshme votojnë vetëm deputetët dhe nëpunësit
Akademiku dhe Profesori Artan Fuga ka vijuar me tezën se deputetët duhet të kenë një pavarësi nga kryetari i partisë, dhe jo të jetë ky i fundit që zgjedh deputetët në lista, që sipas sistemit aktual i bie që të jetë kreu i partisë që zgjedh se cili do të jetë deputet dhe cili jo.
Sipas tij sistemi po e lë mbrapa Shqipërinë, pasi vetëm këtu kryetarët e partive duan të jenë si çifligarë që duan të zgjedhin vetë se cilët duan të jenë deputetët dhe jo populli.
Po ashtu ai bën një paralelizim me partitë moderne dhe politikën moderne ku qytetari as nuk ka nevojë të shkojë në qendrën e votimit por voton nga shtëpia kurse në Shqipëri thotë Fuga zgjedhjet e ardhshme do të votojnë vetëm deputetët dhe nëpunësit e mesëm dhe të lartë.
STATUSI I ARTAN FUGËS
Hotelet po zbehen sepse nëpërmjet ëebit turisti lidhet direkt me pronarin e apartamentit.
Spitalet bëjnë operacione në distancë, ku me anë të Internetit mjeku vepron direkt mbi pacientin pa kaluar medoemos nga spitali pranë shtëpisë.
Njësitë tregtare po zbehen sepse bëhen shoping në linjë.
Madje edhe muzetë, qendrat historike, galeritë e arteve etj., shkollat po frekuentohen virtualisht nëpërmjet teknologjive të komunikimit.
Edhe sipërmarrjet në shumë fusha po zëvendësohen nga ajo që quhet telepuna, pra puna në distancë nga shtëpia që zbeh ndërmarrjen si agjenci e ndërmjetme midis punonjësit dhe objekteve të punës.
Për partitë moderne e thamë. Për politikën moderne e thamë. Shumë votime bëhen nga shtëpia pa shkuar fare në qendrat e votimit.
Vetëm në Shqipëri si duket politikanët nuk e duan atë që quhet e-citizenship.As Republikën virtuale. Etja për pushtet, uria e pashuar për pushtet politik e disa po na le mbrapa botës, po na lë një sistem politik dinozaur, duket sikur jetojmë në muzeun e sistemeve politike të botës, sikur jemi në një terren arkeologjie politike, si mumje politike që kemi ngrirë dhe koha dhe ora na kanë ngelur.
Gjithçka po shkon drejtpërdrejt te qytetari. Agjencitë e ndërmjetme si agjenci reklamash, kabinete konsultimi, sipërmarrje, shkolla, muze, kinematë, partitë politike po zbehen duke marrë forma të reja të modernizuara. Kjo sepse qytetari po lidhet individualisht me qytetarët e tjerë dhe me objektet e veprimit të tioj direkt, drejtpërdrejt, pa ndërmjetësi. Aparatet burokratike po tronditen. Vertikaliteti po tronditet. Shoqëria piramidale po tronditet.
Vetë në Shqipëri si çifligarë disa duan të vendosin ata se cilët do të jenë deputetët jo populli.
Ne kështu marrim rrugën e kundërt të evolucionit të emancipimit.
Mbetemi prapa botës.
Aty është rrënja, burimi, shkaku i të gjitha të këqiave që na bëjnë të vuajmë. Te ndalimi i popullit për të votuar. Disa kujtojnë se populli në zgjedhjet e fundit lokale vajti vetëm 10 përqind në zgjedhje sepse u ndikua nga opozita vetëm. Jo, harrojeni, mos ushqeni iluzione, populli po flak tej këtë sistem votimi të manipuluar dhe të vjetër si një mamuth.
Në zgjedhjet e ardhëshme do të votojnë vetëm nëpunësit e mesëm dhe të lartë dhe vetë deputetët. Kaq. Nuk e besoni!!! Shihni si ikën mileti nga sytë këmbët nga Shqipëria pa pyetur fare se çfarë le pas, ikën nga vendi ku ka statusin e qytetarit dhe shkon larg atje ku as voton as ka status qytetari. Duket hapur që ajo që le këtu në atdhe as i intereson fare.
Pse e shet votën? Sepse e di që ajo mund të vlejë si kartmonedhë, kaq, sepse si pjesëmarrje në pushtet ia ka pirë lëngun.