Po planifikonte një vjedhje me armë në market, kapet i riu në Kamëz
Një 20-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, pasi ishte duke planifikuar një vjedhje me armë. Burime zyrtare nga policia bënë e dije se pas hekurave përfundoi shtetasi me inicialet K.K., banues në Laknas.
Të njëjtat burime theksuan se Seksioni i Policisë Kriminale të Komisariatit të Policisë Nr. 5 Tiranë ka marrë informacion në rrugë operative se në Laknas, një i ri qarkullonte në orët e pasdites, me biçikletë, duke mbajtur me vete një çantë shpine, brenda së cilës dyshohej se mund të kishte armë zjarri.
Në momentet që ky shtetas po përgatitej të hynte në një market , ai është arrestuar. Gjate kontrollit fizik atij i është gjetur në çantën e shpinës, një automatik model 56, me një krehër me 17 fishekë. Vijon puna në bashkëpunim me Prokurorinë, pasi dyshohet se ky shtetas mund të jetë autor edhe i disa tentativave të tjera për vjedhje me armë, të ndodhura më parë në Tiranë. Materialet i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për hetime të mëtejshme, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi me burgim deri në 7 vjet.