Po punonte për riparimin e çatisë, bie dhe humb jetën punëtori
Një 50 vjeçar, nga qyteti i Fierit humbi jetën mesditën e sotme, pasi ra nga një lartësi ndërsa ishte duke punuar.
Ngjarja mësohet se ndodhi në mjediset e Ndërmarrjes së Nxjerrjes së Naftës, në qytetin e Kuçovës.
50 vjeçari, me inicialet A.G, mësohet se ka qenë duke punuar mbi një çati që po riparohej në momentin që ka rënë prej saj. Burime nga vendi i ngjarjes saktësuan se burri u gjet në tokë nga kolegët e tij dhe menjëherë u transportua drejt spitalit rajonal të Beratit, por ka humbur jetën gjatë rrugës.
Fillimisht, Drejtoria e Policisë në Qarkun e Beratit raportoi se bëhej fjalë për humbjen e jetës së një punëtori të Ndërmarrjes së Naftës. Por, ekspertët e policisë që mbërritën në vendin e ngjarjes konstatuan se bëhej fjalë për rënien nga lartësi të një punëtori të një firme private që po punonte për riparimin e çatisë në ndërmarrjen në fjalë.
Policia e Beratit tha se po hetohet për të zbardhur krejtësisht këtë ngjarje. Ende nuk dihet nëse punëtori i firmës private ishte i punësuar apo jo dhe nëse ishin marrë të gjitha masat teknike për mbrojtjen gjatë punës.
KOHA JONË SONDAZH

