Po “ripyllëzonin” Krastën me kanabis, policia u prish planet tre të rinjve në Krujë
Tre të rinj kanë rënë në prangat e policisë së Krujës për kultivim të kanabisit dhe armëmbajtjes pa leje në Krujë.
Të arrestuarit janë shtetasit S. B., 20 vjeç, E. G., 29 vjeç dhe K. G., 20, banues në lagjen Nr. 4, Krujë.
Sipas policisë, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në vendin e quajtur “Krastë”, qyteti Krujë, janë kapur në flagrancë duke kultivuar në një ambient të shpyllëzuar, 40 fidanë të sapombjellë në kubikë.
Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit S. B., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan fidanë me lëndë narkotike cannabis sativa.
Ndërsa në banesën e shtetasve E. G. dhe K. G (vëllezër), shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan pajisje të ndryshme elektrike që përdoreshin për kultivimin e bimëve narkotike.
Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të zonës përreth u gjet një armë zjarri dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.