Po sikur të ikin të dy, Basha e Berisha?!
Nga Lindita Kokoli dhe Daniel Muçaku-
Kjo që po ndodh sot në Shqipëri me Opozitën është ngjarje e pandodhur ndokund.
Në të vërtetë, qëkur PD dhe partitë e tjera te cilat i mori varg si specat, duke ikur nga parlamenti dhe nga pjesëmarrja në zgjedhjet vendore, OPOZITË nuk pati më Shqipëria.
Opozita është pjesë e vendimmarrjes së madhe të një Kombi edhe kur ajo voton kundër qeverisë, por ama nuk braktis institucionet në mënyrë definitive siç veproi PD.
Natyrisht që ka kriza politike kur ikën opozita për ca kohë, por jo si me PD që iku fare duke e bërë pushtetin ekzekutiv që të fuste në dorë gjithë pushtetet e tjera kushtetuese.
Kjo tani është zhbërë pasi opozita hyri në zgjedhjet e 25 prillit dhe humbi. Ish-lideri demokrat, Sali Berisha, thotë një gjë që nuk e ka thënë realisht direkt pas humbjes. Ai deklaroi se PD nuk i fitoi zgjedhjet, pavarësisht se Rama i bleu votat!
Berisha ka bërë histori në këtë vend: për mirë apo për keq apo edhe të dyja së bashku, kjo do gjykohet shumë vite më vonë. Ndër punët e mira mbahet mend se bashkë me të tjerë, si PD, rrëzoi komunizmin sikurse kreu një akt të madh kombëtar që ishte ndërtimi i rrugës së Kombit, që lidh Kosovën me Shqipërinë. Nëse nuk do ta bënte këtë, sot Kosova do ishte de facto e ndarë nga trualli i Kombit.
Tani mund të ketë akuza të shumta se kjo rrugë u bë me korrupsion sepse asokohe ai ishte kryeministër, kurse ministri kontrollues ishte Lulzim Basha si ministër Transporti. Nëse akuzat vijojnë edhe sot, të dy kanë pjesën e akuzës për korrupsion në këtë rrugë, por sido të jetë prapë se prapë ajo RRUGË KOMBI u ndërtua. Nëse nuk do të ishte Berisha ajo rrugë nuk do të ishte bërë akoma!
Ndërsa për të këqijat që ka bërë Berisha, sipas kundërshtarëve politikë janë me thasë dhe duhet natë dimri që të tregohen.
Dhe nuk ka pak!
Por Berisha futi Shqipërinë në NATO, hoqi vizat për shqiptarët, ndaj meriton respekt per kete.
Kurse Lulzim Basha e çoi nga humbja në humbje PD-në. E nxori jashtë sistemit të demokracisë këtë forcë politike, e deformoi shtyllën kurrizore të saj ose më saktë ia prishi palcën kësaj force politike duke i ndryshuar ADN-në.
Lulzim Basha në thelb nuk është njeri i keq, as nuk është pjesë e krimit apo lobeve të ndryshme financiaro-mediatike.
Ai është Luli, siç e thërret me përkëdheli kryeministri, i cili ngordh ta ketë në qeveri Bashën sikurse dhe ky i fundit të jetë në bashkëqeverisje me Ramën!
Luli nuk do përgjegjësi, nuk mban shumë mbi shpatulla pesha politike vendimmarrëse, përveç vendimit të detyruar për Berishën. Në fakt vendimi për Berishën fut në dilema çdo analist të pavarur se më në fund e kreu një vendim të fortë, por edhe në këtë rast nuk pati guximin të thoshte se e bëri vetë. Ai tha nëpër dhembë se më detyruan amerikanët.
Të paktën edhe nëse e detyruan duhej të mos tregonte se e bëri nga të tjerët. Duhet t’i thoshte hapur në sy ish-kryeministrit, bile live në televizione, se ka ardhur koha që të ikësh njëherë e mirë. Sikur ta bënte para zgjedhjeve politike do të kishte me shumë respekt nga publiku.
Fakti që e përdori Saliun para e pas zgjedhjeve të 25 prillit, por edhe për të mbaruar Kuvendin Kombëtar të PD se i duhej të zgjidhej, tregon mungesë të fortë karakteri. Edhe djallezi ziliqare. Nëse do ta kishte bërë para grupit parlamentar, bile dhe në Këshillin Kombëtar duke thënë se “ose ktheni Saliun e unë po iki, ose ma lini mua barrën e fundit për rikthimin e PD-së në pushtet, por të ikë Berisha”. Dhe të sanksiononte në Kuvendin e PD se kur humb zgjedhjet kryetari ikën, bile me vrap nga selia e PD.
Por nuk e bëri këtë! E kjo e rëndon figurën e tij në krye të PD.
Tani Saliu ka filluar ofensivën në rrethe, e cila në thelb ka vlera pozitive, paçka nga motivi. Po ndez fitilat e lagura të opozitarëve që ishin dekurajuar nga humbjet e Bashës.
Kjo nuk ka lidhje me teorinë kineze “turbullo për të qartësuar”, por në të vërtetë kjo “rrëmujë” e Berishës po krijon atmosferë ndezëse në bazën e PD.
Përfundimi duket se do të mbyllet me një Kuvend me mbi 50 për qind të delegatëve që do të shkarkojnë Lulzim Bashën. Ndërkohë Basha nuk do ta njohë vendimin e Kuvendit, çka mund të sjellë precipitim të rrezikshëm të situatës te selia blu dhe do shikojmë se si legjendarët Edi Paloka dhe Flamur Noka do kalojnë mbi telat e selisë blu, e cila do mbrohet nga policët e pushtetit.
Kjo mund të jetë e rrezikshme për Lulzim Bashën. Me të vërtetë e rrezikshme, kur kemi dëgjuar nëpër takime të Saliut militantë qe kanë bërtitur se “armët i kemi gati doktor!”.
Natyrisht këto “armë” nuk janë për të rrëzuar Ramën, por Lulzim Bashën. E kjo ndërlikon shumë lojën në PD.
Ndaj zgjidhja më e mirë për PD do të ishte që të ikin të dy, Berisha dhe Basha, pas Kuvendit të PD.
Edhe PD-ja shpëton dhe Saliu me Lulin mbyllin epokën e tyre në PD, por demokratët përbashkohen për të qenë seriozisht alternativë pushteti.
Ndryshe do kemi dy PD, njëra do ketë njerëzit dhe tjetra vulën. Megjithatë, asnjëra nuk e sjell opozitën në pushtet.
KOHA JONË SONDAZH

