Po studionte të bëhej doktor, 23-vjeçari shqiptar humb jetën në Greqi si pasojë e një aksidenti të rëndë

Një shqiptar ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti tragjik në Greqi. 23-vjeçari Kristian Nako po udhëtonte me motor me shokun e tij, kur në rrethana ende të paqarta është përplasur me një kamion në zonën e Mastabës në Rethymnon.

Vdekja e parakohshme e të riut ka tronditur rëndë familjarët e miqtë e tij, por edhe komunitetin shqiptar në Kretë, Rethimno, Hanja dhe Iraklio. 23-vjeçari ishte në vitin e fundit të studimeve në Bullgari pasi donte të bëhej doktor. Por aksidenti tragjik i mëngjesit të djeshëm i ndërpreu në mes ëndrrat e tij.

Sipas asaj që shkruajnë mediat greke, përplasja ishte aq e fortë sa banorë të zonës fillimisht menduan se bëhej fjalë për shpërthim. I riu shqiptar gjeti vdekjen e menjëhershme, ndërsa identifikimi i tij u bë i mundur vetëm disa orë më vonë.

Autoritetet greke arrestuan shoferin e kamionit, një 39-vjeçar grek, ndërsa hetimet për ngjarjen e rëndë vijojnë.

SHKARKO APP