Po synon qeveria ti djegë Berishës mandatin si deputet?
Shtyrja e gjyqit për Sali Berishën i cili kërkon që të marrë pjesë në seancat plenare, për Partinë Demokratike të Rithemelimit shihet si skenar i dirigjuar nga qeveria ”Rama” për t’i djegur atij mandatin e deputetit.
Sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Demokratike të Rithemelimit, Ivi Kaso, akuzoi gjykatën dhe prokurorinë për zvarritje të procesit me synim që t’i djegin mandatin.
”Tentativë e përmbylljen e gojës së Sali Berishës, jo vetëm në selinë e Partisë-shtëpi e demokratëve, por dhe në selinë e Kuvendit që duhet të ishte shtëpia e qytetarëve. Strategjia finale: djegia e mandatit. E sigurojmë Ramën, SPAK-un dhe mballoma të tjetra të pushtetit, se asnjë marifet apo artific ligjor nuk mundet të cenojë mandatin e Sali Berishës”.
Gjykata e Posaçme ka shtyrë për në datën 8 shkurt shqyrtimin e kërkesë së Sali Berishës për të marrë pjesë në seancat plenare, për shkak se gjykata ka vlerësuar se Berisha nuk ishte njoftuar sipas ligjit. Për avokatin Genc Gjokutaj kjo bëhet me qëllim për djegien e mandatit të Sali Berishës. Në një deklaratë për mediat pas seancës, ai tha se kanë bërë sërish një kërkesë të katërt për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka në procesin ndaj ish-kryeministrit.