Po trafikonte një automatik drejt Italisë me rulotë, arrestohet italiani në Durrës
Policia ka arrestuar një shtetas italian në Durrës, pasi po trafikonte një automatik drejt Italisë.
Mësohet se në pranga ka rënë italiani, Giovanni Bedini, 66 vjeç.
Policia ka sekuestruar 1 armë zjarri automatik, municion luftarak, 16 300 euro dhe 100 paund.
“Policia Kufitare e Durrësit finalizoi operacionin e koduar “Border”, gjatë të cilit u godit një rast i tentativës për të trafikuar armë zjarri dhe një rast i modeklarimit të parave.
U sekuestruan 1 armë zjarri automatik, municion luftarak, 16 300 euro dhe 100 paund.
Për tentativën e trafikimit të armës së zjarrit, u arrestua shtetasi italian G. B., 66 vjeç, ndërsa për rastin tjetër u procedua penalisht E. H., 31 vjeç, poseduesi i parave.
Shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit, në vijim të kontrolleve në hyrje/dalje, të bazuara në analizën e riskut, me fokus parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive kufitare, kanë goditur një rast të tentativës për trafikim të armëve të zjarrit, në dalje të RSh-së, dhe një rast të mosdeklarimit të parave, në hyrje.
Për këto raste, veprimet hetimore dhe procedurale janë kryer nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës, të cilët kanë arrestuar në flagrancë shtetasin G. B., për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe municionit”, si dhe kanë referuar materialet në Prokurori ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. H., për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë””, njofton policia.
Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.