Po transportonin 17 emigrantë kundrejt fitimit 2 mijë euro, 2 të arrestuar në Korçë
Policia e Korçës vijon goditjet në kuadër të operacionit policor “Perimetri”.
Në vijim të këtij operacioni, policia ka goditur një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, duke arrestuar dy persona që po transportonin 17 emigrantë.
Njoftimi i policisë:
Strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, goditën një tjetër rast të veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit, me qëllim dërgimin e tyre drejt vendeve të BE-së. Si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
H. Gj., 42 vjeç dhe Sh. C., 41 vjeç, banues në Tiranë.
Arrestimi i tyre u bë pasi, këta shtetas u kapën në lagjen nr. 3, Pogradec, duke transportuar në drejtim të Tiranës, me mjetet tip “Ford” dhe “Skoda” 17 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt fitimit prej 2000 euro në total, iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim”.