Po transportonte kanabis me taksi, në pranga 52-vjeçari
Një 52-vjeçar që po transportonte lëndë narkotike me taksi është arrestuar nga Policia e Lezhës. Sipas uniformave blu është arrestuar 52-vjeçari me iniciale L.H. nga Mamurrasi.
Autoritetet bëjnë me dije se kishin marrë informacion në rrugë operative për këtë transport, dhe i bënë shenjë drejtuesit që të ndalonte. Por 52-vjeçari nuk iu bind urdhrit dhe gjatë tentativës për t’u larguar përplasi një nga makinat e policisë.
“Shërbimet e Policisë, mbi bazën e informacioneve të disponuara se me një mjet taksi po transportohej lëndë narkotike, kanë organizuar punën dhe në Milot, kanë identifikuar mjetin dhe i kanë bërë shenjë për të ndaluar. Drejtuesi i mjetit, gjatë tentativës për t’u larguar, ka goditur një nga mjetet e shërbimeve të Policisë. Gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia, në automjetin tip “Benz” që shërbente si taksi u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 10.2 kg lëndë narkotike e dyshuar canabis sativa”, njofton policia.
Materialet hetimore do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.