Policë muskulozë por pa tru në FBI-në shqiptare? BKH-ja shkon në gjykatë

Ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit ose FBI-ja shqiptare, nisi me bujë të madhe por që pritshmëritë po shkojnë në Gjykatën Administrative. Një aplikant ankohet për padrejtësi, pavlefshmëri dhe mungesë transparence. Pse përfundoi ky proces në gjykatë? A është një lëvizje e dëshpëruar e një aplikanti që nuk arriti dot të hynte një një nga strukturat më të kërkuara të drejtësisë së re, apo ky proces i dha më shumë përparësi policëve me muskuj, por pa “tru”?

Disa aplikantë, i thanë Dosja.al se deri në momentin kur u krye testi logjik, gjithçka shkoi mirë. Pas testit logjik u shpall lista e fituesve, dhe më pas doli edhe data e testit fizik. Sipas tyre, këtu ndodhi edhe ”hileja”. Komisioni i Vlerësimit nuk dha asnjë udhëzim për normat që aplikantët duhet të kapnin. Në përfundim të testimit fizik, Komisioni publikoi emrat dhe mbiemrat e aplikantëve. Në listë kishte vetëm emra, por as kod unik të kandidat, as numër pikësh dhe as një Komision me fuqi më të lartë për t’u ankuar.

“Unë paditësi në këtë fazë kam marrë 24 pikë nga 30 pikë që ishte maksimumi me numër rendor 153. Duke krahasuar testin fizik me atë logjik, po ju parashikoj ndryshimet e evidentuara gjatë zhvillimit të testeve: Nuk është përcaktuar asnjë minimum pikësh për testin fizik, krahasuar me procedurat e ndjekura me testin logjik, duke krijuar bindjen se gjatë fazës së vepruar me standard tjetër. Në faqen zyrtare të BKH-së nuk është publikuar mënyra e mbledhjes së pikëve dhe mënyra e vlerësimit, duke mos qenë transparent krahasuar me testin logjik. Nuk është pasqyruar mënyra e përzgjedhjes së aplikantëve në testin fizik, duke dëmtuar imazhin e një institucioni. Nuk kam informuar pavarësisht kërkesës time si aplikant, gjatë fazës së testimit fizik, se sa do të ishte minimumi i nevojshëm për kalimin e fazës tjetër, duke treguar mungesë transparence. Gjatë testimit për çdo normë fizike është mbajtur një procesverbal ku janë përshkruar rezultatet individuale të çdo kandidati. Ky rezultat nuk është vlerësuar në moment por 3 ditë më vonë, veprim i cili ishte totalisht i ndryshëm nga testi logjik, ku rezultatet ishin në kohë reale dhe në prezencë të kandidatëve”, thuhet në një nga paditë.

Drejtuesja e BKH-së, Aida Hajnaj, nuk ka sqaruar as mediat, as publikun, në lidhje me organizimin e testit dhe metodologjinë e përzgjedhjeve, prioritetin e kandidatëve që vijnë nga Policia dhe Prokuroria. Gjykata që do të vendosë, nëse BKH-ja duhet të zbatonte pikë për pikë kriterin bazë të përzgjedhjes që është aftësia profesionale dhe integriteti, apo përgatitja fizike dhe rezistenca sportive. Byroja Kombëtare e Hetimit ka hapur aplikimet për grupin e ri të hetuesve. Në fund të këtij procesi do të zgjidhen 60 hetues që më pas do të trajnohen nga FBI dhe do të përbëjnë të gjithë grupin e hetuesve në BKH, e cila do të hetojë zyrtarët e lartë të përfshirë në krim dhe korrupsion. Pak ditë më parë aplikantët iu nënshtruan testit fizik, ku vetëm 103 prej tyre kaluan me sukses këtë fazë.

SHKARKO APP