Policë të pakorruptuar, struktura që do të ruajë sistemi ”41 Bis”

Ministria e Drejtësisë kërkon në projektligjin e dorëzuar në Kuvend, që të ngrihet struktura e Posaçme e Policisë së Burgjeve, e cila do të shërbejë në regjimin e ashpër ”41 Bis”. Sipas projektligjit, efektivët e policisë që do të jenë pjesë e strukturës së posaçme jo vetëm do mbikëqyrin të dënuarit e rrezikshëm të organizatave kriminale që do të mbyllen në ”41 Bis” por ata do të jenë njësia kompetente që do të ruajnë edhe zyrtarët e burgjeve në rast të kërcënimit të tyre nga anëtarë të grupeve kriminale, që ndërkohë mund të kenë shefat në qeli.

Qelitë e posaçme të 41 Bis janë bërë gati, duket se fryma e këtij regjimi të ashpër i ka bërë më të kujdesshëm të fortët në burgje, të cilët pas hapjes së ambienteve ku do izolohen, kanë marrë mesat e tyre dhe po tregohen më të kujdesshëm në komunikim me anëtarët e grupeve jashtë burgut. Njëkohësisht me këtë situatë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve i ka propozuar Ministrisë së Drejtësisë për policët që do shërbejnë në ”41 Bis”, të trajtohen me paga të diferencuara krahasuar me efektivët e tjerë në burgje. Paga e sugjeruar pritet të jetë 35 mijë lekë më të tepër nga të tjerët, jo vetëm për shkak të shkallës së rrezikshmërisë, por edhe për t’i bërë këta policë të pakorruptueshëm.

Llogaritet që si fillim të angazhohen 94 efektivë policie dhe çdo punonjës që do të angazhohet në ”41 Bis” do t’i nënshtrohet Vetting-ut. Projektligji për Policinë e Burgjeve përmend ngritjen e rrogës edhe për efektivët e tjerë në burgje, si edhe ndryshim të sistemit të gradave, por edhe mënyrës si do rekrutohen. Përfshihet si kriter ndalues, konkurrimi i çdokujt që është larguar nga Vetting-u i Policisë së Shtetit. /TopChannel/

SHKARKO APP