Policët e rinj, Lleshaj: Siguria e vendit do të rritet
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ndoqi nga afër ditën e parë të testimeve të aplikantëve për Patrullë të Përgjithshme. Në fjalën e tij, ministri Lleshaj theksoi ndër të tjera se akademia po zbaton standarde rigoroze me përzgjedhjen, transparente, të qarta për çdo kandidat.
”Kemi ardhur për të ndjekur sot testimin që kryhet në Akademinë e Sigurisë lidhur me pranimet e reja. Shihet me kënaqësi që ka një fluks të madh aplikantësh për vendet e hapura rishtazi në Akademinë e Sigurisë. Janë 2004 kandidatë, të cilët garojnë të fitojnë 400 vende të lira. Është për t’u përshëndetur fakti se Akademia po zbaton standarde rigoroze me përzgjedhjen, transparente, të qarta për të gjithë kandidatët dhe është i rëndësishëm të përmendet fakti se me futjen e këtij grupi të ri prej 400 studentësh në Akademinë e Sigurisë ne investojmë përsëri në rinimin e Policisë së Shtetit. Ky procesi po ndodh në mënyrë intensive prej disa vitesh. Vetëm përmes rinimit të Policisë, vetëm përmes përmirësimit të cilësisë së punonjësve të saj, ne do të arrijmë që ta ngremë Policinë në parametrat që meriton publiku, në parametrat që kërkon siguria e vendit”,- është shprehur Lleshaj.