”Policët nuk trajnohen për armët”, Fishta: Bëjnë veç një qitje në vit
Sindikata e Policisë, ngre shqetësimin se efektivët nuk po zbatojnë siç duhet rregullat teknike të përdorimit të armëve. Kreu i kësaj Sindikate, Sabedin Fishta thekson se arma duhet mbajtur në brez dhe jo në vende të tjera.
”Duhet të respektojnë në maksimum rregullat e sigurisë teknike të mbajtjet dhe përdorimit të armëve të zjarrit si në punë apo jashtë saj. Pistoleta edhe në shërbim edhe jashtë punës mbahet në brez. Në momentin që hiqet nga brezi ka rregulla të tjera për tu zbatuar për ta ruajtur dhe mbajtur këtë armë. Në asnjë vend nuk thuhet se arma mbahet në çantë apo vende të tjera jashtë brezit”,-thotë Fishta.
Nga ana tjetër, ai thotë se policët bëjnë vetëm një qitje të fund të vitit. ”Duhet të ndërtohen programe për trajnimin e forcave të policisë. Për shkak të ngarkesës së punës që efektivët kanë në terren, është lënë pas dore procedura e trajnimeve sesi duhet të veprojnë punonjësit e policisë. Sot besoj që vetëm në fund të vitit, efektivët bëjnë vetëm një qitje dhe me këtë proces vlerësohen për përdorimin e armës së zjarrit”,-thekson më tej Fishta.