Policët s’durojnë erën e hashashit, ja vendimi i fundit
Edhe pse jemi në kohë të pandemisë së Covid-19, në Policinë e Shtetit do të ndryshojnë disa gjëra. Një pjesë e aseteve që do t’u sekuestrohen njerëzve të krimit, si drogë, makina, armë, skafe, motoçikleta, makineri të ndryshme etj, që përbëjnë prova materiale në procese gjyqësore, do të ruhen dhe administrohen nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. Kjo pasi siç duket, Policia duket se nuk e duron dot duhmën e drogës së sekuestruar që ruhet nëpër komisariate si provë materiale për prokurorinë.
Kryetarja e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Ermonela Felaj, gjatë shqyrtimit të projektligjit, ka thënë se “Meqenëse morëm lëndën narkotike, mund të them se e gjithë lënda narkotike ruhej në ambientet e komisariateve ose drejtorive të policive dhe jo në pak raste kjo është bërë problem. Ata që kanë punuar në këto organe e kanë parasysh duhmën që lëshojnë këto lëndë narkotike, gjë e cila është shumë shqetësuese për ambientin. Agjencia për këtë punë është krijuar, që të marrë dhe të administrojë këto sende, pra ose të ruajë vlerën e tyre, ose t’i ruajë fizikisht ato”.
Drejtori i Përgjithshëm i Kodifikimit dhe Harmonizimit të Legjislacionit në Ministrisë së Drejtësisë, Besmir Beja, ka sqaruar se do të jetë organi procedues, pra prokuroria që do të vendosë se cilat sene mund të mbahen në sekretari dhe cilat duhet të ruhen nga Agjencia.