Polici trafikant, Balliu në grupin që çoi në Itali 2.5 tonë hashash
Pas skandalit ku ish-zyrtari i policisë Julian Balliu, doli në përgjime pasi bënte pazare për të shitur 200 gramë kokainë një qytetari, të cilit i detyrohej një shumë lekësh, po hetohet nga Krimet e Rënda.
Hetimi për të ka nisur për kohën kur ai ka mbajtur postin e shefit të Qarkullimit Rrugor në Lushnje, e siç thonë burimet, për të është kërkuar në gjykatë masa e arrestit me burg në mungesë. Balliu dyshohet se gjatë kohës që drejtonte Policinë Rrugore ka favorizuar qarkullimin e një kamioni që duhej të ishte i ngarkuar me dru.
Pas daljes nga Shqipëria në datën 9 janar 2017, siç rezultoi sapo mbërriti në Ankona, mjeti ishte i mbushur me 2.5 tonë hashash. Prej 13 janarit 2017, atëherë kur u sekuestrua ngarkesa me kanabis, hetimet po drejtohen nga një njësi prokurorësh mes Shqipërisë dhe Italisë.
Më herët, me urdhër të Krimeve të Rënda, për dosjen e 2.5 tonëve hashash është arrestuar edhe një zyrtar i Policisë së Fierit, kryekomisari Festim Lelaj. Para drejtësisë, për këtë rrjet trafikantësh pritet të dalin edhe dy doganierë e efektivë të Policisë Kufitare Durrës.

KOHA JONË SONDAZH

