Policia aksion në Tiranë, 5 të arrestuar brenda 24 orëve
Gjatë 24 orëve të fundit janë vënë në pranga 5 shtetas në kryeqytet, dy prej të cilëve ishin në kërkim.
Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Nr. 5 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit XH. H., 31 vjeç. Arrestimi i këtij shtetasi u bë, pasi ky shtetas ka goditur me grushte dhe përndjekur në mënyrë të vazhdueshme shtetasen E. D.
Kështu u arrestua A. V., 28 vjeç, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i vuajtjes së dënimit”, sepse gjatë kontrollit të ushtruar, nuk u gjet në banesë, duke thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Në pranga ranë edhe dy persona të shpallur në kërkim: B.L., 54 vjeç, banues në Tiranë, pasi ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Tregtimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe F. A., 39 vjeç, banues në Vlorë, pasi ishte shpallur në kërkim për veprën penale ”Vetëgjyqësia”.
Ndërkohë, në vijim të informacionit të dhënë në lidhje me aksidentin e ndodhur në Bulevardin “Gjergj Fishta”, më datë 12.02.2020, ku mbeti e dëmtuar gruaja me iniciale E. Gj, 63 vjeçe, grupi hetimor ka shoqëruar dhe intervistuar në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, shtetasen me iniciale I. B., 33 vjeçe. Policia Rrugore e Tiranës, krahas veprimeve të tjera hetimore, me qëllim sqarimin e rrethanave, në funksion të dokumentimit të plotë të aksidentit rrugor, si pasojë e të cilit ka mbetur e dëmtuar këmbësorja E. GJ., ka sekuestruar ne cilësinë e provës materiale automjetin në pronësi të shtetases I. B., me qëllim këqyrjen dhe kryerjen e ekspertimeve të nevojshme autoteknike. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, materialet procedurale i janë përcjellë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për hetime të mëtejshme në ngarkim të shtetases I. B, si e dyshuar për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
Është evidentuar 1 rast i dhunës në familje, si dhe është plotësuar 1 kërkesë-padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes. Gjatë mbrëmjes së djeshme ka pasur 2 telefonata për tentativë vjedhjeje me dhunë, në orën 21:20, në rrugën “Kongresi i Lushnjës” dhe në orën 21:30, në rrugën “Haki Stërmilli”. Shërbimet e Policisë kanë reaguar në kohë dhe nga verifikimet e bëra nga Policia ka rezultuar se nuk është kryer vjedhje në asnjë rast. Është ngritur një grup, i cili vijon punën për identifikimin dhe dokumentin e autorësisë së këtyre ngjarjeve, të dy tentativave për vjedhje me dhunë. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja me dhunë, e mbetur në tentativë”.