Policia arreston 28 shoferë, pezullohen 71 leje drejtimi për shpejtësi

Në kuadër të aksionit për ndërgjegjësimit e shoferëve, Policia Rrugore ka arrestuar 28 drejtues mjetesh nga të cilët 12 për drejtim mjeti në gjendje të dehur, që varionte nga 0.60 mg/l deri në 1.22 mg/l, 15 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 1 për falsifikim të certifikatës për errësimin e xhamave të automjetit.

Përgjatë kontrolleve parandaluese efeketivët e policisë përgjatë 48 orëve të fundit kanë arrestuar në flagrancë 6 drejtues mjetesh, për tentativë për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore, nga të cilët 3 nga Policia Rrugore e Tiranës, 1 nga e Lezhës, 1 nga e Shkodrës dhe 1 nga e Vlorës, të cilët për t’i shpëtuar masës administrative për shpejtësi tej normave të lejuara në qendrat e banuara, për shkelje semafori, për mungesë siguracioni, për mosvendosje të rripit të sigurimit dhe parakalim të gabuar, iu kanë ofruar punonjësve të Policisë Rrugore, nga 2000 deri në 8000 lekë.

Falë telefonatave të qytetarëve janë vënë në pranga 2 drejtues mjetesh, 1 në Laprakë duke kryer manovra të rrezikshme në rrugë, në gjendje të dehur, dhe 1 rrugën “Pjetër Budi”, i cili pa leje drejtimi dhe në gjendje të dehur në masën 0.94 mg/l, gërmonte me një mjet teknologjik në afërsi të një pallati, duke rrezikuar shembjen e pallatit.

Po gjatë 48 orëve, si rezultat i kontrolleve dhe denoncimeve në Komisariatin Dixhital e në numrin pa pagesë 112, janë ndëshkuar me masë administrative 4134 drejtues mjetesh, për shkelje që janë rrezik potencial për përfshirje në aksidente rrugore, si parakalime e manovra të rrezikshme në rrugë, shpejtësi tej normave të lejuara, përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, mosvendosje të rripit të sigurimit apo kaskës mbrojtëse, drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit apo pa leje drejtimi.

Janë pezulluar 71 leje drejtimi, nga të cilat 51 për drejtim mjeti me shpejtësi tej normave të lejuara, që varionte nga 75 km/h në qendrat e banuara deri në 180 km/h në rrugën interurbane Fier-Vlorë, dhe 20 për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit. Policia Rrugore, nisur edhe nga fakti se në akset rrugore në drejtim të Tiranës dhe Morinës ka fluks të shtuar pasditen e sotme, apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencave 112, çdo paligjshmëri.

SHKARKO APP