Policia arreston punonjës të një Call Center-i dhe shtetas polakë! Vidhnin shuma të mëdha përmes mashtrimeve kompjuterike
Tetë persona u arrestuan të enjten nga policia e Shkodrës ndërsa 3 të tjerë u shpallën në kërkim për mashtrim me anë të platformave dhe programeve kompjuterike.
Të arrestuarit janë të rinj të moshës nga 20 deri në 30 vjeç, 6 prej të cilëve janë vajza, që punonin në call center.
Ata drejtoheshin nga një shtetas i huaj nga Polonia dhe bashkëjetuesja e tij.
Policia bëri të ditur se, këta shtetas, gjatë një periudhe 1-vjeçare, kishin krijuar një skemë që kryesohej nga shtetasi polak, i cili kishte rekrutuar si menaxherë tre shtetas shqiptarë.
Kjo skemë ushtrohej në vende të ndryshme dhe synonte në mashtrimin kompjuterik nëpërmjet programeve dhe platformave të ndryshme si Vicidial, Forex dhe Exchange, në dëm të shtetasve të huaj, kryesisht atyre gjermanë dhe spanjollë.
Operacioni policor “North Forex”, zbuloi se shtetasi polak, me qëllim shmangien e hetimit pas operacionit kombëtar kundër mashtrimeve kompjuterike, kishte bërë çregjistrimin e të gjithë punonjësve dhe kishte vijuar ta ushtronte aktivitetin në fshehtësi.
Pas arrestimit të personave të përfshirë në mashtrimin përmes platformave dhe programeve kompjuterike, policia bëri të ditur se, në bashkëpunim me njësinë për hetimin e krimit kibernetik dhe me autoritetet gjermane, spanjolle dhe polake, po vazhdon hetimet për verifikimin e të gjitha investimeve, në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, me qëllim konfiskimin e aseteve të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme.
Puna po vijon me evidentimin e të gjitha subjekteve call center, që ushtrojnë aktivitetin e tyre në mënyrë të paligjshme me anë të mashtrimeve kompjuterike, brenda dhe jashtë vendit.
Gjatë këtij viti njësia kundër krimit kibernetik ka zbuluar disa raste të mashtrimit përmes programeve kompjuterike.
Rreth tre muaj më parë, gjykata e Tiranës la në burg katër persona të akuzuar për grabitje nëpërmjet mashtrimit kompjuterik të 4 milionë eurove.
Mes të arrestuarve janë dy shtetas nga Kameruni të cilët ishin edhe organizator të këtij mashtrimi kompjuterik.
Zbulimi i këtij grupi u bë pasi një kompani ndërkombëtare njoftoj autoritetet shqiptare, që dikush po tentonte të mashtronte partnerët e tyre nëpërmjet një llogarie të çelur në këtë bankë.
Po gjatë këtij viti, policia shqiptare, përmes operacionit policor “Trashëgimia”, goditi një grup tjetër që ushtronte veprimtari kriminale në fushën e mashtrimit kompjuterik.
Operacioni zbuloi se një shtetase shqiptare kishte vendosur në dispozicion të disa shtetasve të huaj, llogarinë e saj bankare, me qëllim mashtrimin e shtetasve shqiptar në hapësirën virtuale.
Përmes kësaj skeme, shtetësja shqiptare përfitonte 10% të shumës monetare për veprimet që kryente së bashku me shtetasit e huaj.VOA