Policia “blindon” Beratin, postblloqe e kontrolle të shumta për kapjen e personave në kërkim dhe rritjen e sigurisë

Drejtoria Vendore e Policisë Berat ka intensifikuar dy ditët e fundit kontrollet, duke blinduar rrugët e qytetit. Postblloqet policore janë ngritur paralelisht me Beratit edhe në të katër bashkitë e tjera të qarkut.

Në qendër të Beratit por edhe në të gjitha pikat hyrëse e dalëse të tij janë vendosur që prej pasdites së djeshme postblloqe me forca të shumta policore, pjesë e të cilëve janë bërë të gjithë sektorët e kësaj drejtorie, duke filluar që nga inspektorët e krimeve e deri tek ata të qarkullimit rrugor. Masat e ndërmarra nga DVP Berat, kanë si qëllim kapjen e personave në kërkim, uljen e kriminalitetit dhe rritjen e sigurisë rrugore.

Në të gjitha automjetet që janë ndaluar në këto postblloqe janë bërë kontrolle të imtësishme për drogë e armë, ndërkohë që janë kontrolluar edhe personat që drejtonin automjetet, nëpërmjet identitetit të tyre, për të verifikuar nëse janë apo jo persona në kërkim policor në Berat a në qytete të tjera.

Gjatë kontrolleve janë verifikuar edhe dokumentacionet e mjeteve si dhe lejet e drejtimit. Burimet zyrtare të policisë konfirmojnë se vetëm në dy ditët e para të këtij aksioni janë kontrolluar rreth 100 automjete dhe janë vendosur 80 masa administrative për ata drejtues mjetesh që kanë rezultuar me mangësi në dokumentacion dhe me shkelje.

Po kështu gjatë këtij aksioni policia ka ushtruar kontroll fizik për armë, drogë e sende të tjera të kundërligjshme mbi 145 shtetas që kanë kaluar me automjete në postblloqet e ngritura. Të njëjtat burime konfirmojnë se postblloqet policore do të vijojnë të qëndrojnë disa ditë me radhë në rrugët e qarkut të Beratit. Kontrollet policore nuk janë përqendruar vetëm në rrugët e qytetit por edhe në bare e lokale që dyshohen për ushtrimin e veprimtarive të paligjshme.

Policia ‘blindon’ rrugët e Beratit, postblloqe e kontrolle të për kapjen e personave në kërkim

SHKARKO APP