Policia dhe ushtria aksion në Berat. Ndëshkohen 225 këmbësorë, drejtues mjetesh dhe pronarë lokalesh
Mungesa e papërgjegjshmërisë për të respektuar rregullat dhe oraret e karantinës, ka ashpërsuar kontrrollet e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, e cila ka intensifikuar aksionet në rrugët e qytetit si dhe ka shtuar postoblloqet policore në të gjitha akset nacionale të qarkut. Në ndihmë të policisë së Beratit janë edhe forca të shumta ushtarake,të shpërndara në të pesta bashkitë e qarkut.
Vetëm në 72-orët e fundit, në të gjithë qarkun e Beratit janë evidentuar dhe ndëshkuar me gjoba prej 100 mijë lekë (të reja) 225 shtetas që u konstatuan duke lëvizur në këmbë,pa autorizim apo pa ndonjë arsye ose emergjencë. Po kështu, policia ka evidentuar 13 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim të automjetit.
Si rezultat i kontrrolleve të ushtruara, janë ndëshkuar me gjoba prej 100 mijë lekë (të reja) edhe 4 pronarë lokalesh që punonin fshehurazi dhe me qepena mbyllur,ndërkohë që ju është hequr edhe liçensa e biznesit. Drejtoria Vendore e Policisë Berat, i bën apel qytetarëve që të respektojne të gjitha masat pasi nuk do të tolerohet askush që shkel ligjin dhe nuk respekton rregullat dhe oraret e karantinës, të përcaktuara nga qeveria.