Policia e “lëshon” dorën me gjobat për maskën, 678 në 24 orë. 10 të shoqëruar në komisariat

Punonjësit e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren, për të monitoruar zbatimin e masës së re për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia.

Policia e Shtetit ka vijuar me “dorë të hekurt” ndaj qytetarëve që shkelin urdhrin për mbajtjen e maskës. Në harkun e 24 orëve, nga ora 17:00 e ditës së djeshme dhe deri sot në 17:00, në të gjithë territorin janë vendosur 678 gjoba me vlerën 3.000 lekë secila.

Po kështu, disa qytetarë, kryesisht të rinj, për t’i shpëtuar masës administrative nuk i kanë treguar dokumentin e identifikimit punonjësve të Policisë.

Për këtë arsye janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 10 shtetas, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit janë ndëshkuar me masën administrative 3000 lekë dhe janë lënë të lirë.

Policia e Shtetit ka rritur prezencën e shërbimeve të Policisë me uniformë dhe të punonjësve të Policisë Kriminale në territor, të cilët vijojnë patrullimet dhe kontrollet në të gjithë vendin, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe monitorimin e masave anticovid, të cilat parandalojnë përhapjen e këtij virusi.

Policia e Shtetit apelon qytetarët të vendosin maskat mbrojtëse, pronarët e lokaleve të respektojë protokollet e sigurisë dhe të mos kundërshtojnë urdhrin e punonjësve të Policisë, pasi Policia e Shtetit është në shërbim të qytetarëve, për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e tyre, ndaj dhe është i rëndësishëm zbatimi i kësaj mase mbrojtëse sepse parandalon infektimin me COVID-19.

SHKARKO APP