Policia e Shtetit dhe Gjendja Civile, 13 shërbime online
Ministria e Brendshme ofron 13 shërbime online për qytetarët shqiptarë. Përmes një njoftimi për mediat, Ministria e Brendshme kujton se 13 shërbime që lidhen me Policinë e Shtetit, apo me Gjendjen Civile, qytetarët shqiptarë tashmë mund t’i marrin online përmes shërbimit “e-Albania”. “Këtu në “e-Albania.al” gjeni shërbimet online të Ministrisë së Brendshme. Vetëm në pak minuta, në kompjuter apo nga celulari merrni shërbimin e kërkuar pa shkuar zyrë më zyrë. Shteti Elektronik në Dorën Tënde”-, nënvizon Ministria e Brendshme.
Në këtë kuadër nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile (DPGJC) online ofron gjashtë shërbime: certifikatë personale; certifikatë familjare; certifikatë nga akti i lindjes; certifikatë nga akti i martesës; certifikatë nga akti i vdekjes dhe kërkesë për ndryshimin e qendrës së votimit. Nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ofrohen shtatë shërbime online, duke nisur nga Shërbimi elektronik “Kundërvajtjet rrugore”, që ju mundëson qytetarëve dhe bizneseve të kontrollojnë online kundërvajtjet rrugore, dhe t’i paguajnë ato online. Po ashtu, online mund të realizohet kërkesë për fitim shtetësisë.
Shërbimi elektronik “Kërkesë për korrigjim/fshirje të dhënash personale (në rast konstatimi të pasaktësive në sistem)” ju mundëson shtetasve shqiptarë që kanë evidentuar pasaktësi në të dhënat personale, të aplikojnë online për të kërkuar korrigjimin e tyre. Shërbimi elektronik “Kërkesë për leje qëndrimi” u mundëson shtetasve të huaj, me banim të ligjshëm në territorin e Republikës së Shqipërisë, të bëjnë një kërkesë për të fituar leje qëndrimi në Republikën e Shqipërisë. Shërbim elektronik “Kërkesë për lënie shtetësie” u mundëson qytetarëve me shtetësi shqiptare të bëjnë një kërkesë për të hequr dorë nga shtetësia shqiptare, në rast se ata kanë fituar ose u është garantuar një shtetësi tjetër.
Shërbimi elektronik “Kërkesë për rifitim shtetësie” u mundëson shtetasve të huaj, me banim brenda kufijve të Republikës së Shqipërisë, të bëjnë një kërkesë për të rifituar shtetësinë shqiptare. Shërbim elektronik “Kërkesë për rinovim të lejes së qëndrimit” u mundëson shtetasve të huaj, me banim të ligjshëm brenda kufijve të Republikës së Shqipërisë, të bëjnë një kërkesë për të rinovuar lejen e qëndrimit aktuale në Republikën e Shqipërisë. Ka tre tipe lejesh qëndrimi:Tipi A; jo e ripërtëritshme, vetëm me të drejtë qëndrimi në territor; Tipi B (Kartë Blu AL); e ripërtëritshme, me të drejtë hyrje/dalje, qëndrim jashtë territorit jo më shumë se 6 muaj; Tipi C (Kartë Blu AL-C); e përhershme, qëndrim jashtë territorit jo më shume së 12 muaj pa ndërprerje.