Policia e Shtetit: Orges Bilbili me rrezikshmëri të lartë, ngrihet grupi hetimor

Policia e Shtetit ka reaguar zyrtarisht për plagosjen nga një efektiv i forcave Shqiponja të Orges Bilbilit, të kërkuar për vrasje. Sipas policisë, në Tiranë në rrugën ” Sitki Çiço”, në afërsi të një shkolle, punonjësi i Policisë së forcës së posaçme “Shqiponjat”, i ka kërkuar një personi lejen e daljes dhe dokumentin e identifikimit.

Deklarata e plotë

Personi që rezultoi të ishte Orgest Bilbili, 30 vjeç, nga Lushnja, e ka kundërshtuar punonjësin e Policisë dhe është larguar me vrap në brendësi të lagjes. Punonjësi i Policisë e ka ndjekur dhe gjatë ndjekjes 30-vjecari i ka drejtuar pistoletën punonjësit të Policisë, duke e kërcënuar për ta vrarë. Punonjësi i Policisë i ka bërë thirrje të hedhë armën dhe të dorëzohet, por Orgest Bilbili nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë dhe ka vijuar lëvizjen me pistoletë në dorë.

Në zbatim të procedurës standarde të punës, punonjësi i Policisë ka qëlluar njëherë në ajër për ta paralajmëruar, ndërkohë që 30-vjeçari i ka drejtuar armën, për të qëlluar punonjësin e Policisë. Në këto rrethana punonjësi i Policisë, i gjendur në kushtet e mbrojtjes së nevojshme, ka qëlluar në drejtim të 30-vjeçarit, duke e plagosur atë. Fatkeqësisht, është plagosur jashtë rrezikut për jetën edhe M. P., rreth 30 vjeçe, kalimtare e rastit.

Nga verifikimet e bëra rezulton se Orgest Bilbil ishte person i shpallur në kërkim dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dyshuar për një sërë ngjarjesh të rënda kundër personit në qytetin e Lushnjës. Gjithashtu i dënuar dhe me 7 vjet e 4 muaj burg, për veprën penale ”Trafikim i narkotikëve”. Aktualisht ai është arrestuar dhe ndodhet në Spitalin e Traumës Tirane, paraprakisht jashtë rrezikut për jetën.

Në lidhje me ngjarjen është ngritur një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e plotë të rrethanave te ngjarjes. Policia e Shtetit i uron shërim të shpejtë kalimtares M.P dhe garanton opinion publik se është e vendosur të përballet me cilindo që shkel ligjin e aq më tepër guxon të godasë punonjësit e Policisë. Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të vijojnë të zbatojnë rregullat dhe t’i binden urdhrit të punonjësit të Policisë, duke kontribuuar të gjithë së bashku për parandalimin e përhapjes së COVID-19, si dhe në krijimin e një ambienti sa më të sigurt për qytetarët.

SHKARKO APP