Policia e Shtetit shtyn afatin për regjistrimin e armëve të gjahut dhe atyre sportive
Policia e Shtetit shtyn afatin për regjistrimin e armëve të gjahut dhe atyre sportive që prej vitit 1993. Fillimisht, ishte caktuar që çdo qytetar duhet ta regjistronte armën brenda datës 31 Maj.
Por për shkak të angazhimit që policia pati gjatë procesit zgjedhor dhe tashmë në fushatën e kontrollit dhe asgjësimit të kanabisit, është caktuar që afati të zgjatet deri në fund të këtij viti.
Çdo person që posedon një armë gjahu apo sportive me leje duhet ta deklarojë e ta regjistrojë atë në sistemin elektronik SIMA. Kjo gjë është bërë për shkak të ndryshimit të vendbanimit të disa personave në vitet e fundit, si dhe për ata që jetojnë jashtë territorit shqiptar.
Regjistrim duhet të bëjnë edhe familjarët e personave që kanë humbur jetën dhe kanë pasur armë gjahu në emrin e tyre. Ata duhet të rinovojnë të dhënat pasi në rast se nuk e kryejnë brenda afatit, do t’u nisë procedura e sekuestrimit.
Detyrë specifike për këtë fushatë i është lënë specialistëve dhe policëve të zonave. Fillimisht ata duhet të njoftojnë qytetarët lidhur me procedurat që duhet të ndjekin për t’i regjistruar këto armë. E në rast se efektivët nuk nisin urgjentisht punën, ligji parashikon se do të ndëshkohen me masë disiplinore.
Po ashtu, punonjësit e policisë kanë për detyrë të evidentojnë personat që janë pajisur me armë gjuetie dhe nuk gjenden në Shqipëri për arsye emigrimi, e që u kanë humbur dokumentet, kanë mangësi në regjistrim apo probleme të adresave.
Nga momenti i kontaktit me punonjësin e policisë qytetarët kanë afat një javë për të kryer të gjitha procedurat, dhe në rast se nuk bëjnë regjistrimet atëherë do të nisë procedura për bllokimin e armës. /Abcnews.al