Policia e Shtetit: Situata në të gjithë vendin paraqitet e qetë

Policia e Shtetit njoftoi se situata në të gjithë vendin paraqitet e qetë dhe se është në gatishmëri të plotë për garantimin e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor në respekt të plotë të ligji.

Përmes një njoftimi për shtyp bëhet e ditur se Policia e Shtetit është në gatishmëri të plotë për përmbushjen e detyrave që ligji i ngarkon në kuadër të procesit zgjedhor dhe për garantimin e rendit e të sigurisë publike. “Situata në të gjithë vendin paraqitet e qetë. Deri në orën 14:00 nuk janë evidentuar probleme lidhur me qëndrimin e policisë gjatë procesit zgjedhor”, citohet njoftimi.

Ndërkohë nga KQV-të gjatë kësaj periudhe është kërkuar ndërhyrja e policisë me vendim sipas përcaktimeve të bëra në aktet normative vetëm në 1 rast, ku policia ka ndërhyrë sipas vendimit të Komisionit të Qendrës së Votimit dhe ka kryer detyrën për rivendosjen e gjendjes. Konkretisht:

Në KZAZ nr. 6, Qendra e Votimit nr. 142, në orën 10:30, në Shkollën 9 – Vjeçare Koman, Komisioni i QV, ka vendosur të kërkojë ndihmën e policisë për ndërhyrje në QV, pasi ka pasur një fluks shumë të madh të qytetarëve për të votuar. Punonjësit e policisë kanë ndërhyrë për rivendosjen e rregullit dhe pas normalizimit të situatës janë larguar me vendim të Komisionit të Qendrës së Votimit.

Gjatë procesit zgjedhor strukturat e Policisë së Shtetit kanë ndërhyrë dhe për disa incidente të vogla për të cilat Policia është thërritur nga Komisionet përkatëse të qendrave të votimit por që kanë gjetur zgjidhje pa ndërhyrjen e forcave të policisë dhe nuk është kërkuar më me vendim nga komisionet ndërhyrja e policisë.

“Siç ju kemi bërë me dije në komunikimin e mëparshëm, me fillimin e punës nga Komisionet e Qendrave të Votimit punonjësit e Policisë së Shtetit sipas përcaktimeve të bëra në aktet normative janë larguar nga të gjitha Qendrat e Votimit, të cilat ishin marrë në ruajtje gjatë natës së mbrëmshme”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Policia e Shtetit është duke ndjekur në vazhdimësi procesin zgjedhor dhe është në gatishmëri të plotë për përmbushjen e detyrave për garantimin e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor në respekt të plotë të ligjit.

SHKARKO APP