Policia: Gëzim Saraçi hodhi granatën në zyrën e kryebashkiakut, 1 mln lekë shpërblim kush jep informacione

Policia e Shtetit ka publikuar foton e Gëzim Saraçit, i shpallur në kërkim, personi që hodhi granatë në zyrën e kryebashkiakut të Lushnjes, Fatos Tushe duke e lënë të plagosur së bashku me sekretaren. Forcat e Policisë, RENEA, FNSH dhe shërbimet e komisariateve të Lushnjes dhe Fierit, e kanë lokalizuar dhe dyshohet se fshihet në territorin e qarkut të Beratit. Policia ka vënë në dispozicion të çdo qytetari që jep informacion 1 milionë lekë të rinj.

Njoftimi i plotë nga Policia e Shtetit

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Bashkinë e Lushnjës, ku shtetasi Gëzim Saraçi, 50 vjeç, hodhi në zyrën e Kryetarit të Bashkisë Lushnjë, një granatë dore dhe për pasojë u plagosën jashtë rrezikut për jetën Kryetari i Bashkisë F.T dhe sekretarja e Bashkisë shtetasja E.Q, ju informojmë se forcat speciale Renea, FNSH-ja e Fierit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë dhe të DVP Fier vijojnë krehjen e zonës, për kapjen e autorit të kësaj ngjarjeje.

Autori i kësaj ngjarjeje ka mundur të largohet menjëherë pas ngjarjes dhe dyshohet se është fshehur në territorin e qarkut Berat. Me qëllim kapjen sa më shpejt të tij, Policia e Shtetit kërkon bashkëpunimin e qytetarëve dhe vë në dispozicion 1 milionë lekë të rinj për çdo informacion të saktë që do çojë në lokalizimin dhe kapjen e autorit.

Për çdo informacion sado të vlefshëm, qytetarët të telefonojnë në numrin unik 112 apo të dërgojnë imazhe në Komisariatin Dixhital, si dhe në numrin e celularit 069 41 07 337, duke ju garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm të strukturave të Policisë për të kapur dhe vënë para përgjegjësisë ligjore autorin e kësaj ngjarjeje.

Ngjarja

Atmosfera festive në Lushnje, pak orë para ndërrimit të viteve është përzier mëngjesin e sotëm me një ngjarje që ka tronditur qytetin. Teksa ishte bërë gati të niste ditën me një konferencë për mediat për bilancet e vitit 2019, kryebashkiakut të Lushnjes Fatos Tushe i është bërë atentat nga ish-shoferi i tij Gëzim Saraçi i cili i ka hedhur në zyrë një granatë dore. Nga shpërthimi i granatës ka mbetur i plagosur kryebashkiaku Tushe si dhe sekretarja e tij Erisa Qalliu. Tushe dhe Qalliu janë sjellë në spitalin e Traumës në Tiranë për një trajtim më të specializuar mjekësor, ndërsa më pas kryebashkiaku ka lënë spitalin ndërsa sekretarja e tij e cila ka marrë dëmtime më të rënda, vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve. Ka nisur fillimisht një debat mes Tushes dhe Saraçit, ndërsa më pas ky i fundit ka hedhur edhe granatën, për t’u larguar më pas me shpejtësi. Dyshohet se në momentin e largimit, Saraçi është ndihmuar edhe nga persona të tjerë, ndërkohë që forca të shumta policie po punojnë për kapjen e tij.

SHKARKO APP