Policia gjeti një bllok me listë emrash në shtëpinë e mjekut Prifti, dyshohet se ka marrë rryshfet prej tyre
Ora News zbardh detaje të reja nga hetimet për ryshfet në radhët e sistemit shëndetësor pas arrestimit të mjekut Edvin Prifti .
Burimet bëjnë me dije se mjekut Edvin Prifti i është gjetur një bllok ku janë listuar disa emra, të cilëve dyshohet se u ka marrë para kundrejt mjekimit.
Mësohet se blloku me një listë emrash është gjetur gjatë kontrolleve të Policisë në banesën e mjekut Edvin Prifti.
Nga organi i akuzës nuk ka ende një informacion në lidhje me materialet e sekuestruara në banesën e mjekut
Ndaj mjekut Edvin Prifti, Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi masën ‘Arrest në burg’.
Një ditë më parë Ora News zbardhi dhe dinamikën që çoi deri te denoncimi i mjekut në SPAK.
Pak muaj para arrestimit me akuzën e korrupsionit dhe pastrimit të parave, shefi i Kardiologjisë në QSUT, Edvin Prifti, kishte denoncuar në polici dhe prokurori kërcënime të bëra ndaj tij për shkak të detyrës.
Ai akuzonte për kanosje Leonard Selmanajn. Ky person po hetohej nga prokuroria e Tiranës pasi përmes mesazheve e telefonatave i kërkonte Edvin Priftit kthimin e një shume monetare që pretendonte se i kishte dhënë për operimin në zemër të një të afërmi.