Policia gjobit 626 qytetarë dhe 6 pronarë lokalesh

Strukturat e Policisë kanë vijuar kontrollet në terren në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masës së re për parandalimin e përhapjes së Covid-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia. Gjatë 24 orëve të fundit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë secili, 626 qytetarë që lëviznin pa maskat mbrojtëse.

Gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë konstatuar 6 lokale, në ambientet e të cilëve kishte muzikë pas orës 20:00 dhe nuk respektoheshin protokollet e sigurisë që kanë si qëllim parandalimin e përhapjes së Covid-19. Secili prej administratorëve të këtyre lokaleve është ndëshkuar me masën administrative 1.000.000 lekë.

Gjatë këtyre kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 7 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit apo nuk e kanë pasur atë me vete, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.

SHKARKO APP