Policia kontrolle të befasishme në Durrës, në pranga 3 persona për drogë dhe armë
Njoftimi i policisë
Bashkëpunim intensiv i të gjitha strukturave në çdo qark të vendit, për kontrolle të befasishme kundër paligjshmërive.
Finalizimi i planit intensiv operacional të koduar “Fundjava”, vë në pranga 3 shtetas, për drogë dhe armë.
✅Sekuestrohen, në Fushë Krujë një armë zjarri pistoletë dhe në Durrës lëndë narkotike që mbaheshin në automjete.
Drejtuesi i automjetit që mbante kanabis në formë boçeje, pas testit të drogës, rezultoi se e drejtonte automjetin nën efektin e lëndëve narkotike.
✅Po në kuadër të planit operacional “Fundjava”, një ditë më parë, nga DVP Durrës, në bashkëpunim me FNSH-në, u vunë në pranga edhe 2 shtetas të tjerë që qarkullonin me armë zjarri.
Në zbatim të planit operacional policor të koduar “Fundjava”, forcat operacionale, në bashkëpunim me Sektorin e Qarkullimit Rrugor Durrës, Komisariatin e Policisë Krujë dhe me mbështetjen e FNSH Tiranë, gjatë kontrolleve të befasishme në Fushë Krujë dhe Durrës kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit:
-K. L., 28 vjeç, banues në Rrëshen, Mirditë, pasi u kap në Fushë Krujë, si rezultat i kontrolleve të befasishme, duke qarkulluar me armë zjarri në automjetin tip “Audi” që drejtonte.
Gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar nga shërbimet e Policisë, poshtë sediles së shoferit iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë me një krehër me 8 fishekë luftarakë në të.
-D. L., 21 vjeç dhe O. D., 23 vjeç, të dy banues në Durrës, pasi u kapën në vendin e quajtur “Mbikalimi i Kënetës”, Durrës, duke qarkulluar me një automjet tip “BMW”, në të cilin mbanin një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis në formë boçeje, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve për këtë rast, shtetasi O. D., drejtuesi i automjetit, iu nënshtrua testit të drogës, me pajisjen AquilaScan dhe rezultoi pozitiv për përdorim të lëndëve narkotike gjatë drejtimit të automjetit.
Materialet hetimore në ngarkim të shtetasit K. L. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për vepren penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, ndërsa materialet hetimore në ngarkim të shtetasve D. L. dhe O. D. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.