Policia në kërkim për gjetjen e autorit që goditi kancelarin e gjykatës së Elbasanit. Shoqërohen në komisariat 7 persona
7 persona janë shoqëruar në polici për t’u marrë në pyetje për plagosjen e kancelarit të Gjykatës së Elbasanit Ledio Sulkuqi, mbrëmjen e së dielës.
Ngjarja ndodhi në rrugicat e kalasë teksa 51-vjeçari kthehej për në shtëpi. Ai është goditur disa herë me leva në kokë e trup, por fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sulkuqi mori ndihmën e parë në spitalin e Elbasanit ku edhe do të pyetet nga policia mbi ngjarjen.
Dyshimet e para të policisë bien mbi konflikte të mundshme për shkak të detyrës, por mësohet se 51 vjeçari ka deklaruar se nuk ka konflikte me askënd dhe nuk a mundur të identifikojë autorët pasi goditja ka qenë e papritur.
Policia ndërkohë ka sekuestruar edhe kamerat e bizneseve rrotull vendit të ngjarjes të cilat pritet të hedhin dritë mbi identifikimin e autorëve.
51 vjeçari Ledio Sulkuqi mban detyrën e kancelarit të Gjykatës së Elbasanit prej disa vitesh.