Policia në krizë, Gledis Nano merr frenat
Nga: Redjon Shtylla
Mbledhjen e parë si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano e zhvilloi këtë të martë me përfaqësuesit e Misioneve që asistojnë Policinë dhe Oficerët Ndërlidhës në vend. Nano ka vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm dhe ka siguruar për gatishmërinë dhe vullnetin e tij e të Policisë për të thelluar më tej bashkëpunimin.
”Për garantimin e sigurisë dhe goditjen e krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme, parandalimin e terrorizmit, bashkëpunimi dhe shkëmbimi i informacionit mes partnerëve, autoriteteve dhe agjencive të zbatimit të ligjit, brenda dhe jashtë vendit është i një rëndësie vendimtare, si në nivel kombëtar, ashtu edhe në nivel ndërkombëtar, për forcimin e lirisë dhe sigurisë së vendeve”,-tha drejtori i Policisë së Shtetit.
Gledis Nano u diplomua në Akademinë Kombëtare të FBI-së dhe ka udhëhequr operacione të suksesshme. Mes tyre renditen operacione si riatdhesimi i qytetarëve shqiptarë nga kampi ”Al-Hol” në Siri, zbulimi i një celule terroriste që planifikonte sulme në Tiranë si dhe dëbimi i diplomatëve iranianë.
Policia e Shtetit e cila është një mburojë e rendit dhe sigurisë në vend, tashmë do ta drejtojë një kryepolic me kualitet, aftësi profesionale ekselente perëndimore. Nga ana tjetër, me emërimin e Gledis Nanos si përzgjedhje speficike amerikane, përdorjet anti-ligjore të kreut të policisë kanë marrë fund.
SHBA-ja le të themi që ka nisur de facto reformën në strukturën policore shqiptare, për ta nxjerrë nga paaftësia, nga kapja prej krimit dhe rrjeta partiake e nepotike. Nano nuk erdhi në këtë post si militant partiak, dhe as nga lidhjet me botën e krimit, por edhe nga specializimet dhe rekomandimet bindëse të FBI-DEA-EUROPOL.
Filtrin e ”Vetting”-ut Gledis Nano e kaloi me të dhëna të vërteta. Integritet i plotë; aftësi profesionale e zbatim detyrash në nivel “Shkëlqyer”; dhe pasuri të ligjshme, pa asnjë “grimcë” korrupsioni apo përfitime nga bota e krimit.
Nano e merr Policinë e Shtetit në një situatë aspak të mirë, pasi rendi dhe siguria është zero. Bandat vrasin dhe autorët nuk kapen. Në Elbasan grupet kriminale bëjnë ligjin, dhe beteja e Nanos për të forcuar është e fortë dhe kërkon punë të pastër pa doreza politike.