Sot bllokimi i Tiranës/Policia thotë “JO”, kurse Berisha deklaron “PO”!
Sali Berisha nuk tërhiqet nga bllokimi i rrugëve sot pasdite nga ora 17.00 deri në 20.00. Ai deklaroi: “Sot është dita e një revolte, e mosbindjes civile, të PD-së dhe opozitës, në emër të mbi 1.1 milion shqiptarëve që u larguan nga Shqipëria nga ky regjim për shkak të varfërisë dhe privimit të lirive.
Është revolta në emër të 800 mijë pensionistëve, që u trajtuan nga kjo qeveri në mënyrën më çnjerëzore.
Pensionistët e Shqipërisë sot marrin një pension të barabartë me 1 qen shtëpie në Gjermani, që paguhet 130 euro.
Është protesta në emër të qindra mijëra të rinjve, të cilët kanë si alternativë të vetme largimin nga Shqipëria.
Është protesta në emër të qindra mijëra fermerëve, të cilët janë fermerët më të diskriminuar të Europës, më të pambështetur, për të cilët në buxhetin e shtetit, ndonëse japin 20 përqind të prodhimit të brendshëm, ndonëse përbëjnë rreth 40 përqind të popullatës, janë parashikuar gjithsej 44 milionë euro. Është revolta e mbarë shqiptarëve që duan të jetojnë në Shqipëri.
Që duan të ndërtojnë jetën, mirëqenien dhe të ardhmen në këtë vend ku plaçkiten nga një grup hajdutësh që nuk i kanë pasur kurrë në historinë e vendit.
Kjo protestë, kjo revoltë zhvillohet edhe në shenjën e sakrificës që demokratët janë të vendosur të bëjnë në emër të shqiptarëve në këto prag festash.
Ndaj ftoj qytetarët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë sot në ora 5, marshim në Tiranë, Tirana në duart e qytetarëve”- theksoi Berisha.
Por policia e Tiranës doli me një njoftim se nuk ka dhënë leje PD.
Njoftimi i policisë së Tiranës:
Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë paraqitur kërkesën për zhvillim të tubimeve, nga ora 17:00 deri në orën 20:00 të datës 23.12.2024, në disa akse rrugore kryesore në Tiranë, konkretisht:
Unaza e vogël, rrethrrotullimi te Zogu i Zi, ura afër xhamisë në Rrugën e Elbasanit, sheshi “Wilson” dhe nga pallati me shigjeta drejt Rrugës së Kavajës.
Policia e Shtetit garanton të drejtën për tubim, të drejtat dhe liritë e pjesëmarrësve në tubime, por pa cenuar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të automjeteve.
Në bazë dhe në zbatimit të ligjit “Për tubimet”, Policia e Shtetit ka ndërmarrë të gjitha masat për garantimin e rendit publik, zbatimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe të pjesëmarrësve në tubime, si dhe mbrojtjen e pronave publike dhe private.
Nisur nga objekti i kërkesës së bërë për zhvillimin e tubimeve në disa akse rrugore në qytetin e Tiranës, Policia e Tiranës i ka kthyer përgjigje organizatorëve se merr përsipër garantimin e tubimeve që nuk bllokojnë lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve.
Bllokimi i akseve rrugore është vepër penale e parashikuar nga neni 293 i Kodit Penal dhe cilido që do të ndërmarrë veprime për të bllokuar rrugët, do të përballet me pasojat që sjell shkelja e këtij neni.
Për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në akset rrugore të mësipërme, Policia e Shtetit ka ndërmarrë masa që në rast bllokimi, të devijojë qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.
Policia e Shtetit apelon dhe një herë për zbatim të ligjit dhe respektim të lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe automjeteve, gjatë orarit të tubimeve.