“Policia nuk i lejoi të kalonin në pedonale” Goci flet për arrestimin e aktivistëve të Teatrit
Aktivisti dhe pedagogu Ervin Goci në një intervistë për Ora News ka treguar më shumë në lidhje me arrestimin e dhunimin e katër aktivistëve të Teatrit Kombëtar.
Goci ka sqaruar se policia nuk i ka lejuar aktivistët të kalojnë në zonën ku ka qenë teatri, ndërkohë që protesta e artistëve është zhvilluar aty prej 3 vitesh tashmë, çdo ditë.
Pedagogu Goci e ka quajtur këtë protestë të artistëve si zëri i vetëm i mbetur për teatrin.
Goci: Policia vë gardhe që pas protestave, pas njëfarë ore në pedonale. Tensioni ka qenë në ditë të tjera, sepse aktivistët e Aleancës janë aty çdo ditë dhe kanë fërkime çdo ditë, edhe për faktin që banderola ngrihet çdo ditë si skenë krimi. Me sa informacion kam, gjithçka ka ndodhur sepse nuk i lejonin që të kalonin dhe lëviznin atje, ndërkohë që ata kanë një protestë të përditshme që është i vetmi zë që ka ndodhur për Teatrin Kombëtar në përditshmëri, në shesh.
Policia i ka shtypur me dhunë protestat që pas vrasjes së Klodianit dhe gjithçka merr një efekt ortek për të kapur gjithçka dhe për të mos lejuar asgjë. Protesta nuk tregon gjë tjetër përveç faktit që njerëzit nuk janë kurrsesi të tutur, të trembur, të tërhequr, por që nomalisht që ata duan normalitetin deri në një moment që kërcet pistoleta dhe vritet një i pafajshëm në derën e shtëpisë dhe pa asnjëlloj arsyeje. Ka qenë një vrasje e pastër, e ftohtë dhe unë flas për vrasjen e Klodianit, sepse para tij kanë ndodhur shumë gjëra.
Ndjesia e protestës nuk ka lindur kurrsesi atë ditë. Ajo ishte një ngjarje që shpërtheu një mllef, mëri, pamundësi dhe frustrim të jashtëzakonshëm që kjo qeveri ka një kënaqësi sadiste që të tregojë gjithë kohës që është shumë e fortë dhe të jep dajak edhe kot.
Nuk mund të them që protesta për Klodianin filloi ditën që u vra Klodiani, sepse Shqipëria ka pasur disa shpërthime shumë të forta. Kemi shpërthimin e studentëve, shpërthimin e kauzës së teatrit që mbajti 3 vjet. Janë shpërthime që janë aty dhe thjeshtë në këtë moment ajo që po ndodh është sepse ka masa popullsie që nuk identifikohen dot me një subjekt politik. Vetë nuk janë të organizuara sepse janë të shkëputura dhe janë në kontekste të ndryshme.