Policia nuk kursen gjobat, vë 994 të tilla në 24 orë për qytetarët
Shërbimet e Policisë, gjatë 24 orëve të fundit, kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 994 shtetas që nuk kanë zbatuar masat anti-covid. 986 prej tyre janë ndëshkuar me masën 3.000 lekë, pasi nuk kishin vendosur maskat mbrojtëse.
Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, vijojnë kontrollet në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së Covid-19. Patrullat e Përgjithshme kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 3.000 lekë, 794 shtetas që janë konstatuar pa maskat mbrojtëse.
Shërbimet e Policisë Rrugore kanë ndëshkuar me të njëjtën masë administrative, 192 shtetas që udhëtonin në mjete private me persona me të cilët nuk kishin lidhje familjare apo në mjetet e transportit publik, pa vendosur maskat mbrojtëse.
Gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë konstatuar 1 subjekt që ushtronte aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë. Për administratorin e këtij subjekti është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë. Në të gjithë vendin janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 7 shtetas që janë konstatuar duke lëvizur në këmbë pas orës 20:00.