Policia parandalon një krim në familje në Dibër, arrestohet 59 vjeçari me armë
Një 59 vjeçar është arrestuar nga policia e Dibrës, pasi ka kërcënuar me armë zjarri bashkëshorten dhe djalin e tij.
Në pranga përfundoi Elez Mera, banues në fshatin Lishan i Poshtëm, Luzni, Dibër.
“Pas një informacioni të marrë se në fshatin Lishan i Poshtëm po ndodhte një konflikt në familje, nga strukturat e policisë së Dibrës, është organizuar menjëherë puna ku falë veprimeve të shpejta dhe profesionale kanë ndërhyrë duke parandaluar një ngjarje të rëndë kriminale, ku kanë konstatuar se shtetasi Elez Mera, po ushtronte dhunë ndaj bashkëshortes shtetases D.M, 58 vjeçe dhe djalit të tij K.M, 29 vjeç, duke i kanosur në mënyrë serioze për jetën nëpërmjet një arme gjahu”, sqaron policia.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e gjahut tip TEKE, me dy fishekë, të cilën e mbante pa lejen e organeve kompetente.
Në fund të veprimeve hetimore u bë arrestimi i shtetasit E.Mera, dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Dibër për veprat penale të “Dhunës në familje”.
KOHA JONË SONDAZH

