Policia/Pas lëvizjes së drejtorëve, ndryshime në rang shefash Komisariatesh
Në një kohë që vendi është në parametrat më të ulta të sigurisë, ku vrasjet janë shtuar dhe bandat kanë marrë kontroll dhe për shumë arsye, një valë ndryshimesh ka përfshirë Policinë e Shtetit. Pas lëvizjes së drejtorëve vendor, sot radhën e patën shefat në disa Komisariate. Në Durrës ikën shefi i Komisariatit Gerond Seitllari, vjen Ermal Ajdini. Në Krujë ikën Shefi i Komisariatit Artur Hebaj, vjen Elton Alushi. Gjithashtu, në Korçë ikën shefi i Komisariatit Florian Dano, vjen Krenar Gjokutaj, ndërsa në Pogradec ikën Shefi i Komisariatit, Niko Palla, vjen Artur Hebaj.
Janë ndryshuar drejtorët vendorë në qarqet Elbasan, Kukës dhe Dibër, ku janë shënuar edhe ngjarjet më të rënda kriminale. Arjan Muça, drejtor i Drejtorisë Vendore në Elbasan është transferuar në drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ndërsa në vend të tij është vendosur, Alket Shatro. Ndryshime ka edhe në Kukës, ku drejtori Erigert Mitri është transferuar në Drejtorinë e Përgjithshme, ndërsa në vend të tij është emëruar Alban Çela. Po në Dibër, Skënder Kalemi ka kaluar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, dhe është zëvendësuar nga Artur Selimi, drejtor i Policisë Vlorë.
Për Shqipërinë, lufta ndaj krimit të organizuar dhe pastrimit të parave, është një nga kushtet kryesore prej 15 të tilla të vendosua nga Bashkimi Europian në lidhje me negociatat për Integrimin. Këto lëvizje nuk janë të parat për këtë vit. Në qershor të këtij viti, pas skandaleve dhe problemeve në disa dogana të vendit, bëri që në kupolën e Policisë së Shtetit të ketë ndryshime. Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu firmosi urdhrin për 6 lëvizje.