Pas denoncimit të avokates Shaqe Marinaj për dhunim nga policia të bashkëshortit të saj avokat Gjergji Neli ka ardhur dhe njoftimi i policisë për ngjarje.

Në komunikatën për media thuhet se rreth orës 15:10, në sallën operative të DVP ka ardhur një telefonatë për një konflikt, në afërsi të hotel turizmit Lezhë.

Menjëherë, thotë policia, kanë shkuar shërbimet e Policisë në adresën e dhënë, ku kanë konstatuar shtetasin Gjergj Neli dhe bashkëshorten e tij shtetasen Shaqe Marinaj, me profesion avokat, duke u konfliktuar me një shtetas.

Siç bëhet me dije në komunikatë, “punonjësit e Policisë kanë ndërhyrë për të penguar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit, por shtetasi Gjergj Neli i ka  kundërshtuar me dhunë duke goditur me grusht dhe grisur bluzen njërit prej punonjësve të Policisë”.

Pas kësaj, sqaron policia, zoti Neli u shoqerua në Komisariatin e Policisë Lezhë.

“Në vijim të veprimeve nga oficeri i  Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Gj.N.,68 vjeç, banues në Lezhë”.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme për vepren penale “Kundërshtimi me dhunë i punonjësit të rendit publik”.