Policia për ngjarjen në Himarë: Tre i shpëtuam, gruaja nuk gjendet
Policia Kufitare dhe roja bregdetare, kanë dhënë detaje për 4 shtetasit që rrezikuan të mbyteshin në det sot në Himarë, të cilët kishin dalë për peshkim me një mjet të vogël lundrues, i cili u fundos. Vijon kërkimi intensiv në det, për gjetjen edhe të gruas që ishte në bordin e këtij mjeti lundrues, e cila dyshohet se është mbytur. Fillimisht u raportua për tre persona por policia bënë me dije se në varkë ishin 4 persona, 3 familjarë dhe një punëtor.
Njoftimi i plotë
Shërbimet e Policisë kufitare Dhërmi kanë marrë një telefonatë se një mjet lundrues ka dalë në det për peshkim dhe si pasojë e dallgëve të mëdha dhe motit të keq personat që ishin në bord rrezikonin të mbyteshin.
Shërbimet e Policisë Kufitare kanë dalë me mjetin lundrues menjëherë në drejtim të adresës së dhënë dhe kanë njoftuar edhe rojën bregdetare për ndihmë.
Si rezultat i operacionit të përbashkët të Policisë Kufitare dhe rojës bregdetare dhe ndihmës nga një mjet lundrues turistik i rastit, u bë e mundur të shpëtohen shtetasit R. R., F. R. dhe A. R., ndërsa shtetasja M. R. nuk është gjetur ende. Vijojnë kërkimet intensive me mjetet lundruese të Policisë Kufitare dhe të rojës bregdetare.
Personat e shpëtuar u dërguan në Jalë, ku i priste ambulanca e qendrës shëndetësore Himarë e njoftuar nga Policia Kufitare, dhe ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.