Policia procedon 7 persona, mes tyre edhe 3 organizatorët e tubimit të djeshëm
Policia ka proceduar 7 persona të cilët ditën e djeshme zhvilluan një protestë kundër masave të qeverisë në sheshin “Skënderbej”.
“Procedimi ndaj tyre nisi pasi në datë 7 maj 2020, rreth orës 11:30, te sheshi “Skënderbej” kanë protestuar në mënyrë të paligjshme, pa lejen e organeve kompetetente, duke prishur rendin dhe qetësinë publike, aq më tepër në situtatë të jashtëzakonshme në kohë pandemie, ku ndalohen me ligj grumbullimet apo tubimet.
Shtetasit Z.I., K.B. dhe S.G., në rolin e organizatorëve të protestës, më herët kanë bërë thirrje në rrjete sociale për protesta e tubime.
Në vijim të veprimeve janë siguruar pamjet filmike dhe fotografike, si dhe është bërë këqyrja e rrjeteve sociale, pasi nga këta shtetas (organizatorët) bëhen thirrje për protesta dhe tubime.
Nga ana e shërbimeve të Policisë janë vendosur masa administrative/gjoba, pasi asnjëri prej tyre nuk ka patur autorizim për të dalë, bazuar në nenin 3 të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020.
Po punohet për masat plotësuese sipas Aktit Normativ, si dhe për shoqërimin e personave të tjerë që kanë marrë pjesë në protestë, pasi janë fotografuar dhe identifikuar nga ana e Policisë.
Materialet i kaluan Prokurorisë në ngarkim të organizatorëve, për veprat penale “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në tubime të paligjshme”.
Policia e Shtetit apelon për respektim në maksimum të masave kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19”, njofton policia.