Policia publikon fotot: Këta janë 5 personat më të rrezikshëm në Shqipëri

Në një kohë kur krimi në vend ka marrë përmasa të larta dhe ekzekutimiet po bëhen nën syrin e forcave blu, Policia e Shtetit publikon emrat dhe fotot e pesë nga 50 personat më të kërkuar në Shqipëri, të dënuar nga 25 vite burg deri në burgim të përjetshëm. Pesë emrat e parë të publikuar sot janë Dritan Syziu, Altin Arapi, Eduart Kurti, Gentian Tako dhe Gëzim Memeti, që të pestë të dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje.

Emrat e të shumëkërkuarve:

Dritan Syziu, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje
Altin Arapi i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje.
Eduart Kurti i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje.
Gentian Tako I dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje.
Gëzim Memeti i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje.

Deklarata e Policisë së Shtetit

Në kuadër të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, nisur nga rrezikshmëria e theksuar e secilit prej personave, bazuar në veprën penale që ka kryer dhe në masën e dënimit të marrë nga gjykatat, duke filluar nga masa më e rëndë, burgim i përjetshëm dhe deri në 25 vjet burgim, është përcaktuar lista me 50 personat më të kërkuar, që do jenë objekt i punës së forcës së posaçme.

Njësia e Kërkimit do të marrë gjithë masat e duhura për realizimin e kërkimit të këtyre personave dhe kapjen e tyre, duke bashkëpunuar me strukturat përkatëse në Drejtoritë Vendore të Policisë, si dhe me strukturat homologe të vendeve evropiane që bëjnë pjesë në rrjetin ENFAST.

Policia e Shtetit është e vendosur për të kapur dhe çuar para drejtësisë të gjithë personat e kërkuar dhe në këtë kuadër kërkon edhe bashkëpunimin e qytetarëve që pas çdo publikimi të fotove të personave në kërkim, në rast se disponojnë informacion mbi vendndodhjen e tyre, të njoftojnë në “Komisariatin Dixhital” apo numrin falas 112, duke u siguruar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm.

SHKARKO APP