Policia publikon pamjet me dron brenda kampit MEK, shihen persona që djegin provat
Anëtarët e kampit MEK në Manzë, pretenduan sot se janë dhunuar nga efektivët e policisë gjatë aksionit. Policia ka publikuar pamje nga operacioni, një hap ky i paralajmëruar edhe pak më parë nga ministri i Brendshëm Çuçi dhe Drejtori i Policisë Muhamet Rrumbullaku në një konferencë për shtyp. Në video shihen edhe persona që djegin letra, që me shumë mundësi janë prova që vërtetojnë pistën që ata kanë ngritur një grup që kryen sulme kibernetike.
Njoftimi i plotë
Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe të urdhrit të ekzekutimit të Prokurorisë pranë kësaj Gjykate, për kontrollin e të gjitha ambienteve dhe zyrave ku banojnë për qëllime humanitare, Policia e Shtetit, në kuadër të një plani operacional, ka filluar kontrollin e të gjitha ambienteve dhe zyrave në kampin MEK, në Manëz, Durrës.
Në zbatim të urdhër-kontrolleve të nxjerra nga Gjykata, Policia e Shtetit ka marrë masa për zbatimin e tyre, me planin e kontrollit të ambienteve në territorin e kampit MEK, duke zbatuar me rigorozitet etikën dhe komunikimin e duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve dhe komunitetit që banon në këtë kamp.
Grupet e kontrollit të Policisë po vijojnë kontrollet në territorin e kampit MEK dhe në ambientet e brendshme të tij. Në përfundim të kontrolleve do të ketë njoftim më të detajuar.