Policia qëllohet nga grupe kriminale në Vlorë, arrestohen 3 prej tyre, 1 i plagosur

Një postbllok policie është qëlluar me armë zjarri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, në afërsi të fshatit Sherishtë në Vlorë, por fatmirësisht nuk ka pasur asnjë të lënduar nga uniformat blu.

Efektivët e policisë tentuan të ndalonin dy automjete, një  tip Benz dhe një Land Rover, që po udhëtonin me shpejtësi dhe kishte dyshime se brenda tyre ndodheshin persona në kërkim.

Pas rreth 100 metrash makinat janë ndalur, por sapo është afruar makina e policisë, ndaj saj, është qëlluar 5 herë në drejtim të saj nga drejtuesi i makinës Land Rover.

Efektivët e policisë kanë komunikuar me kolegët e tyre të vendosur në një tjetër pikë kontrolli, e cila ka bërë të mundur bllokimin e dy mjeteve që po lëviznin njëri pas tjetrit në drejtim të Vlorës.

Personat e mjetit, Land Rover, duke përfituar nga errësira kanë ndryshuar drejtimin e rrugës dhe i janë larguar ndjekjes së policisë, duke braktisur automjetin.

Në makinën tip Benz janë ndaluar 3 persona, por njëri prej tyre ishte plagosur me armë zjarri në shpatull. Martin Hitaj pas arrestimit pretendoi se është plagosur në fshatin Kotë duke mos dhënë më shumë detaje për atë që i kishte ndodhur. Sakaq, 35 – vjeçari i plagosur dhe i arrestuar rezulton i shpallur në kërkim dhe i dënuar me 6 vite burg në Itali për “Trafikim Narkotikësh”.

Dy të ndaluarit e tjerë janë Ilir Birçaj, 46 vjeç dhe vëllai i tij 37 – vjevcar Vasil Birçaj të dy banues në Vlorë.

Në dy automjetet policia tha se ka sekuestruar 2 automatikë model 56, një sasi të madhe fishekësh të llojeve të ndryshme, si dhe maska e doreza.

Policia pas hetimeve tha se të tre këta persona janë me precedentë të lartë kriminalë dhe anëtarë të një grupi të dyshuar për kryerjen e disa veprave të ndryshme penale, brenda dhe jashtë vendit.

Pista kryesore e Policisë për ngjarjen e orëve të vona të mbrëmjes së djeshme është përgatitja e grupit të mësipërm për kryerjen e një grabitjeje me armë zjarri dhe me maska për të fshehur identitetin e tyre.

SHKARKO APP