Policia reagon për vrasjen e efektivit në krye të detyrës: U qëllua me armë ndaj të gjithë grupit

Policia e Lezhës ka reaguar zyrtarisht për ngjarjen e rëndë që ndodhi paraditen e sotme, ku trafikantët e drogës kanë qëlluar në drejtim të grupit të kontrollit të policisë së shtetit, duke vrarë oficerin e krimeve Saimir Hoxha.

Burime bëjnë me dije se oficeri i policisë në departamentin e krimit, ka ndërruar jetë gjatë përpjekjeve të kolegëve të tij për ta dërguar në spital pas të shtënave me armë zjarri gjatë një operacioni në Ishull Lezhë.

Operacioni kishte nisur pas informacioneve për një plantacion droge në këtë zonë, ndërsa në afërsi të paracelës me kanabis, janë mdeshur me rezistencën e kultivuesve të cilët kanë hapur zjarr në drejtim të policisë.

Hoxha ka mbetur i plagosur dhe brenda pak minutave ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra. Policia ka informacione rreth personit që mund të ketë shkrepur armën për të cilin ka nisur kërkimi, por ende deri tani nuk ka asnjë në pranga.

Burime bëjnë me dije se drejt vendngjarjes janë nisur drejtuesit më të lartë të policisë së shtetit, dhe një grup i posaçëm nga RENEA.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 10:30 ,në Ishull Lezhë ,në rrethana ende të paqarta është qëlluar me armë zjarri në drejtim të grupit të kontrollit të territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.

Si pasojë është plagosur me armë zjarri oficeri i Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë shtetasi S. H., 44 vjeç, i cili për pasojë të plagëve të marra ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spitalin Rajonal Lezhë.

Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën me qëllim kapjen e autorit.

Në ndihmë të Policisë lokale janë nisur forcat speciale Renea, grupe të FNSH-së dhe një grup i posaçëm hetimor nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit  për të bërë të mundur  zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

SHKARKO APP