Policia Rrugore në Lezhë bën ”namin” me gjoba gjatë gushtit, ndëshkohen 3992 shoferë

Policia Rrugore e Lezhës ka vijuar kontrollet në rrugë gjatë muajit gusht dhe ka ndëshkuar shoferët problematikë. Në një njoftim për mediat bëhet me dije se gushtit janë arrestuar 12 shtetas dhe janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 14 të tjerë, për drejtim mjeti në gjendje të dehur/nën efektin e alkoolit ose pa leje drejtimi. Po ashtu njoftohet se nga kontrollet e ushtruara në muajin gusht, janë konstatuar dhe arrestuar në kushtet e flagrancës 7 shtetas për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 5 shtetas për drejtim mjeti pa leje drejtimi, si dhe janë proceduar në gjendje të lirë 13 shtetas për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 1 shtetas për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.

Njoftimi i plotë

Policia Rrugore Lezhës, e angazhuar për përballimin e fluksit të mjeteve gjatë muajit gusht dhe rritjen e parametrave të sigurisë në rrugë. Nga ana e specialistëve të Qarkullimit Rrugor janë shtuar kontrollet në të gjitha akset rrugore, në kuadër të respektimit të rregullave të qarkullimit rrugor, si dhe për të këshilluar, evidentuar dhe ndëshkuar drejtuesit që drejtojnë mjetet në mënyrë të parregullt, duke u bërë shkak për aksidente rrugore. Policia rrugore e qarkut Lezhë ka arrestuar 12 shtetas dhe ka proceduar penalisht në gjendje të lirë 14 të tjerë, për drejtim mjeti në gjendje të dehur/nën efektin e alkoolit ose pa leje drejtimi.

Janë ushtruar kontrolle të shumta në të gjitha akset rrugore të qarkut, jo vetëm për menaxhimin e trafikut dhe parandalimin e aksidenteve rrugore, por dhe për evidentimin, verifikimin dhe ndëshkimin e atyre drejtuesve që drejtojnë mjetet në gjendje të dehur, që kryejnë manovra të rrezikshme në rrugë, nuk vendosin rripin e sigurimit apo përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit.

Nga kontrollet e ushtruara në muajin gusht, janë konstatuar dhe arrestuar në kushtet e flagrancës 7 shtetas për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 5 shtetas për drejtim mjeti pa leje drejtimi, si dhe janë proceduar në gjendje të lirë 13 shtetas për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 1 shtetas për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.

Gjatë muajit gusht janë proceduar administrativisht gjithsej 3992 drejtues mjetesh dhe janë tërhequr 332 leje drejtimi. Konkretisht janë vendosur: 1067 masa administrative për parakalime të gabuara; 413 masa për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit; 298 masa për mosvendosje të rripit të sigurimit; 1197 masa për tejkalim shpejtësie; 65 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse; 364 masa për shkelje të ndryshme.

Policia Rrugore e qarkut Lezhë falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe i fton ata të denoncojnë në numrin 112 çdo shkelje të Kodit Rrugor, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë dhe parandalimin e aksidenteve.

SHKARKO APP